Një konflikt i rëndë pronësie ka shpërthyer në zonën e Mulletit, ku resorti i njohur si “Equos Resort” (ish-“Pantos Resort”) akuzohet se ka mbivendosur tokën e tij mbi pronat private të disa qytetarëve.
Një ekspertim topografik i kryer nga inxhinieri Romeo Nazarko konfirmon se toka që resorti ka marrë me qira nga shteti (në vitin 2017), prek padrejtësisht mbi 34 mijë metra katrorë tokë private që u përkasin shtetaseve Bakushe Balla dhe Adelina Bajrami. Gjithashtu, paqartësitë në regjistrimin e një prone tjetër ngrenë dyshime të forta për tjetërsim të paligjshëm të pronës në atë zonë.
Ndërsa konflikti është ndezur, kompania ka ndryshuar vazhdimisht emrin dhe pronarët. Nga “Pantos Resort” në “Eauos Resort”, dhe nga pronësia e Arbër Shtyllës e Klodian Allajbeut, tek aksionerët e rinj Klodian Shehi dhe Shkëlqim Hoxha. Këto lëvizje të shpeshta në pronësi po shihen me dyshim, si një mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.
SITUATA E SQARUAR NË DETAJE
Një betejë e ashpër ligjore për pronësinë e tokave në zonën kadastrale 3091 në Mullet ka nxjerrë në pah një skandal të rëndë të mbivendosjes së pronave private me sipërfaqe toke shtetërore, të cilat janë dhënë në përdorim për qëllime biznesi.
Zanafilla e këtij konflikti e ka pikënisjen në kontratën e qirasë nr. 242, datë 12.04.2017, të lidhur mes Drejtorisë së Bujqësisë Tiranë dhe shoqërisë “Pantos Resort”, e cila asokohe drejtohej nga Klodian Allajbeu.
Përmes kësaj kontrate, kompanisë iu dha në përdorim një sipërfaqe prej 7.450 hektarësh tokë shtetërore. Megjithatë, pretendimet e qytetarëve për cenim të pronave të tyre detyruan kryerjen e një ekspertimi topografik, i cili u realizua nga inxhinieri Romeo Nazarko. Në aktin e tij të ekspertimit, eksperti Nazarko konkludon se prona e marrë me qira nga “Pantos Resort” prek drejtpërdrejt një pjesë të konsiderueshme të tokës që kërkohet nga dy shtetase. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 17.265 m² që i përket pasurisë me numër 64/60.2, e pretenduar nga shtetasja Bakushe Balla, si dhe një sipërfaqe tjetër prej 16.705 m² e pretenduar nga shtetasja Adelina Bajrami.
Për më tepër, situata është bërë edhe më komplekse nga një plan rilevimi kadastral i datës 04.05.2026, i cili paraqet pasurinë 64/47 me sipërfaqe 1.830 m². Kjo parcelë, e cila ndodhet në të njëjtën zonë dhe kufizohet me tokat në konflikt, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rregullsinë dhe transparencën e procesit të regjistrimit të pronës në këtë zonë kadastrale.
Paralelisht me këto pretendime për mbivendosje, dokumentet e siguruara tregojnë se kompania ka kaluar nëpër një sërë ndryshimesh të dyshimta në strukturën e pronësisë. Sipas të dhënave të regjistrit të biznesit, shoqëria, dikur e njohur si “Pantos Resort” dhe sot me emrin “Equos Resort”, ka pasur ndryshime të shpeshta të aksionerëve.
Fillimisht, 100% e kuotave rezultonin në pronësi të Arbër Shtyllës, për t’u transferuar më pas te Klodian Allajbeu. Aktualisht, aksionet rezultojnë të ndara mes Klodian Shehit, i cili zotëron 55%, dhe Shkëlqim Hoxhës me 45%, ndërsa administrator i shoqërisë rezulton shtetasi Arbër Teqja.
Përputhja e këtyre ndryshimeve të vazhdueshme në emërtimin dhe strukturën pronësore të kompanisë me periudhën kur janë intensifikuar pretendimet për konfliktin e pronësisë, ka shtuar dyshimet se mund të jetë tentuar tjetërsimi i pronave private ose përfshirja e tyre në sipërfaqe që nuk i përkasin shtetit.