Rriten vdekjet nga diabeti dhe sëmundjet metabolike

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.07.2026, 15:56

Numri total i vdekjeve në Shqipëri ka shënuar rënie gjatë vitit 2025, por një kategori sëmundjesh ka regjistruar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar janë regjistruar 241 vdekje nga sëmundjet endokrine dhe të të ushqyerit, duke shënuar një rritje prej 15.3% krahasuar me vitin 2024. Kjo kategori përfshin sëmundjet e sistemit endokrin, çrregullimet metabolike dhe problemet e lidhura me ushqyerjen, ku shkaku më i zakonshëm i vdekshmërisë është diabeti dhe komplikacionet e tij. Rritja më e madhe në numër është shënuar në Elbasan, ku rastet u rritën nga 14 në vitin 2024 në 25 në vitin 2025. Në Vlorë vdekjet u rritën nga 4 në 14 raste, ndërsa në Durrës nga 13 në 20 raste. Shtim të rasteve pati edhe në Dibër, Gjirokastër dhe Fier.

Në përqindje, rritjen më të lartë e pati Vlora me 250%, megjithëse kjo lidhet edhe me numrin e ulët të rasteve në vitin paraardhës. Pas saj renditen Gjirokastra me rritje 85.7%, Elbasani me 78.6%, Dibra me 60% dhe Durrësi me 53.8%. Pavarësisht një uljeje prej 11.1%, Tirana vijoi të kishte numrin më të lartë të vdekjeve nga kjo kategori, me 48 raste në vitin 2025. Pas kryeqytetit renditen Fieri me 37 raste, Elbasani me 25, Korça me 21 dhe Durrësi e Shkodra me nga 20 raste. Në disa qarqe pati ulje të numrit të vdekjeve, ku Berati regjistroi 17 raste nga 20 një vit më parë, Lezha ra nga 9 në 7 raste, ndërsa Kukësi nga 4 në 3 raste. Në Korçë dhe Shkodër numri mbeti i pandryshuar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se sëmundjet endokrine dhe metabolike, veçanërisht diabeti, po shndërrohen në një barrë gjithnjë e më të madhe për shëndetin publik. Specialistët e lidhin rritjen e vdekjeve me disa faktorë, përfshirë plakjen e popullsisë, shtimin e mbipeshës dhe obezitetit, ushqyerjen jo të shëndetshme dhe mungesën e aktivitetit fizik, faktorë që favorizojnë rritjen e rasteve me diabet tip 2. Shumë pacientë nuk humbin jetën drejtpërdrejt nga diabeti, por nga komplikacionet që ai shkakton, si sëmundjet kardiovaskulare, dëmtimet e veshkave, goditjet në tru dhe infeksionet e rënda. Rritja me 15.3% e vdekjeve nga kjo kategori evidenton nevojën për diagnostikim më të hershëm, kontroll më të mirë të sëmundjeve kronike dhe ndjekje të vazhdueshme të pacientëve me çrregullime metabolike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit