Protesta e 37-të në Tiranë, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë me pesë kërkesa kryesore

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.07.2026, 16:30

Në Tiranë zhvillohet sot protesta e 37-të e qytetarëve, të cilët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas organizatorëve, grumbullimi do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të përsëriten kërkesat e tyre. Ata kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesës për largimin e kreut të qeverisë. Protesta, e cila nisi si reagim ndaj situatës së krijuar në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje me kërkesa të gjera politike dhe institucionale.

Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, protestuesit kanë bërë thirrje për ndryshim, ndërsa në tubime kanë marrë pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme, mes tyre studentë, të moshuar, aktivistë, profesionistë, familjarë me fëmijë dhe turistë. Organizatorët theksojnë se protesta është qytetare dhe synon reforma të thella në qeverisje, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, por edhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor për administrimin e vendit deri në zhvillimin e zgjedhjeve.

Në qendër të protestës janë pesë kërkesa kryesore: dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë; krijimi i një qeverie teknike tranzitore; ndryshime kushtetuese që parashikojnë barazinë e qytetarëve para ligjit, miratimin e tyre me referendum popullor, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjit për financimin e partive politike, si edhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike. Po ashtu kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, Paketën e Maleve dhe statusin e investimeve strategjike, si edhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve duhet të përgatitet në bashkëpunim me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë protesta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit