Një tjetër denoncim që ngre shqetësime për sigurinë ushqimore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga një qytetare në Elbasan.
Qytetarja ka dërguar një video, ku shfaq momentin kur hap një paketim me djathë kaçkavall deleje të grirë të markës Lufra. Siç shihet dhe në pamje, produkti rezulton i mbuluar nga myku dhe i papërshtatshëm për konsum, pavarësisht se ishte i paketuar.
Në këtë rast, qytetarja nuk ka dërguar kuponin tatimor, ndaj JOQ Albania nuk mund të verifikojë datën dhe vendin e blerjes së produktit. Megjithatë, pamjet e dërguara flasin qartë për gjendjen në të cilën ndodhej djathi në momentin e hapjes së paketimit.
Ky nuk është rasti i parë që në redaksinë tonë mbërrijnë denoncime për produkte ushqimore që konsumatorët pretendojnë se janë gjetur të prishura apo të mykura. Fenomene të tilla ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e magazinimit dhe transportit të produkteve ushqimore, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta mund të ndikojnë në ruajtjen e tyre nëse nuk respektohen kushtet e kërkuara.
Po ashtu, raste të tilla shtrojnë nevojën për kontrolle më të shpeshta dhe më rigoroze nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, me qëllim garantimin e produkteve të sigurta për konsumatorët dhe evidentimin e çdo shkeljeje të mundshme në zinxhirin e furnizimit dhe tregtimit.
JOQ Albania fton kompaninë Lufra dhe institucionet përgjegjëse, përfshirë autoritetin e sigurisë ushqimore, të verifikojnë këtë rast dhe të japin sqarimet përkatëse, në mënyrë që të garantohet mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve dhe të shmangen raste të ngjashme në të ardhmen.