Një moment i pazakontë u regjistrua mbrëmjen e sotme gjatë ditës së 36-të të protestës qytetare para Kryeministrisë në Tiranë.
Mes fjalimeve dhe thirrjeve kundër qeverisë, një protestuese zgjodhi të bënte një gjest simbolik ndaj kryeministrit Edi Rama. Në pamundësi për të marrë pjesë në protestën e djeshme, e cila përkoi edhe me 62-vjetorin e tij të lindjes, ajo solli një "dhuratë" ironike: një fustan të zi.
Me humor dhe ironi, protestuesja tha se nuk kishte mundur t'ia sillte dje për ditëlindje, ndaj vendosi ta bënte këtë sonte para godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar reagime dhe të qeshura mes qytetarëve të pranishëm.
Protesta vijon me fjalime para Kryeministrisë, ndërsa më pas pritet të nisë edhe marshimi i përnatshëm në rrugët kryesore të kryeqytetit, ku protestuesit do të përsërisin kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës politike që ka qeverisur vendin për më shumë se tre dekada.