Epoka kur Shqipëria promovohej si parajsa ekonomike e Mesdheut po shkon drejt fundit, pasi vera e vitit 2026 po tregon se ky avantazh po zbehet me hapa galopantë.
Çmimet e akomodimit, shërbimeve dhe ushqimit, sidomos në jug të vendit, kanë kapur shifra aq të kripura sa po i detyrojnë pushuesit vendas të bëjnë llogari të detajuara përpara se të guxojnë të rezervojnë.
Në destinacionet më të kërkuara si Himara dhe Saranda, një dhomë dyshe në hotel me 3 ose 4 yje gjatë korrikut dhe gushtit kushton rëndom nga 80 deri në 150 euro për natë.
Ndërkohë, në Dhërmi dhe Jal situata kalon në stratosferë, ku çmimet luhaten nga 120 deri në 250 euro për natë, ndërsa resortet premium apo vilat arrijnë deri në 400 euro për natë, duke e çuar koston e thjeshtë të fjetjes për një familje nga 700 deri në mbi 1,500 euro për vetëm një javë.
As apartamentet në Ksamil nuk mbeten pas, pasi për katër persona fatura shkon nga 100 deri në 180 euro për natë, duke kaluar mbi 200 euro nëse dëshiron pamje nga deti.
Por goditja më e madhe për xhepat e shqiptarëve vjen nga shpenzimet ekstra të cilat nuk kanë të ndalur.
Vetëm një set me dy shezlongë dhe një çadër kushton nga 15 deri në 30 euro në ditë në plazhet private, ndërsa në zonat ekskluzive të Dhërmiut dhe Jalës kap shifrat absurde prej 40 deri në 50 euro në ditë, gjë që do të thotë se një familje duhet të paguajë deri në 300 euro shtesë vetëm për të qëndruar në rërë përgjatë shtatë ditëve.
Nëse kësaj i shton ushqimin, ku një drekë apo darkë standarde për katër persona kushton 40 deri në 80 euro dhe mbi 100 euro buzë detit, bashkë me pijet, akulloret dhe transportin, shpenzimet ditore jashtë hotelit arrijnë lehtësisht deri në 150 euro.
Edhe paketat "all inclusive" në zonat e Durrësit apo Shëngjinit që luhaten nga 1,000 deri në 2,000 euro për një javë, nuk po konkurrojnë dot më me jashtë shtetit për shkak të shërbimeve të kufizuara.
Agjencitë turistike konfirmojnë se ky shtrenjtim ka ngushtuar aq shumë diferencën me Korfuzin, Halkidikin apo Antalian, saqë sot një paketë e organizuar në Turqi me fluturim dhe çdo gjë të përfshirë po rezulton me kosto të ngjashme ose më të ulët se pushimet në bregdetin tonë.