Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ka ngritur pikëpyetje të forta vetëm pak orë para nisjes së protestës së 35-të qytetare në Tiranë.
Në pamje shihet një efektiv i Policisë së Shtetit duke filmuar automjetet e autokolonës së Diasporës, të cilat po kalonin në rrugët e kryeqytetit me flamuj kuqezi dhe duke i rënë borive, teksa i drejtoheshin qendrës së kryeqytetit.
Pamjet kanë ngjallur shqetësim te shumë qytetarë, pasi një skenar i ngjashëm u regjistrua edhe pak ditë më parë. Pas protestës së kaluar, dhjetëra pjesëtarë të Diasporës raportuan se u gjobitën nga policia me argumentin e "pengimit të qarkullimit", ndërsa disa prej tyre deklaruan se u përballën edhe me vështirësi në kalimin e pikës kufitare të Muriqanit për shkak të gjobave të papaguara.
Për këtë arsye, videoja e sotme ka shtuar dyshimet se mund të jetë duke u përsëritur i njëjti veprim. Qytetarët pyesin nëse filmimi i targave të automjeteve po bëhet për dokumentimin e një shkeljeje konkrete të Kodit Rrugor, apo nëse do të pasohet sërish me vendosjen e gjobave ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me arsyen e filmimit të autokolonës së Diasporës.
JOQ Albania do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet e protestës së sotme dhe çdo masë që mund të merret ndaj qytetarëve që kanë udhëtuar nga Diaspora për t'iu bashkuar tubimit.