Ka nisur mobilizimi për protestën e 35-të qytetare, e cila pritet të zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 para Kryeministrisë. Kjo protestë konsiderohet si një nga më të rëndësishmet që nga nisja e lëvizjes, pasi organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive nga e gjithë Shqipëria dhe Diaspora.
Pak më parë, një autokolonë me shqiptarë të ardhur nga Diaspora ka mbërritur në qendër të Tiranës, duke kaluar përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", përpara godinës së Kryeministrisë, aty ku pritet të zhvillohet tubimi mbarëkombëtar.
Pamjet tregojnë automjete që lëvizin në kolonë, ndërsa pjesëmarrësit janë nisur për t'iu bashkuar protestës së paralajmëruar për këtë mbrëmje.
Duke qenë se sot është e shtunë, organizatorët presin pjesëmarrjen më të madhe të regjistruar deri më tani, me qytetarë që kanë udhëtuar nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Diaspora, për t'iu bashkuar protestës kundër klasës politike.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protesta do të nisë para Kryeministrisë me fjalime të qytetarëve dhe aktivistëve, ndërsa më pas pritet të vijojë me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke e cilësuar këtë si një protestë mbarëkombëtare dhe një moment të rëndësishëm për vijimin e lëvizjes qytetare.