Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas, ku një gur i shkëputur nga mali ka rënë mbi një automjet në lëvizje.
Sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, drejtuesi i mjetit udhëtonte i vetëm dhe ka mbetur i bllokuar brenda automjetit pas goditjes së fortë. Në pamjet e siguruara nga vendngjarja shihet automjeti i dëmtuar rëndë, ndërsa në vend kanë mbërritur ambulanca, policia dhe shërbimi zjarrfikës për ndërhyrje.
Disa dëshmitarë pretendojnë se drejtuesi i mjetit ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa të tjerë thanë se ai u transportua me ambulancë. Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia e Shtetit mbi gjendjen e tij shëndetësore, ndaj JOQ Albania nuk mund ta konfirmojë këtë informacion.
Po ashtu, disa qytetarë që ndodheshin në vendngjarje pretendojnë se ambulanca ka mbërritur me vonesë, por edhe ky pretendim mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht.
Shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes nuk dihen ende. Pritet që Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar dinamikën e aksidentit dhe gjendjen e drejtuesit të automjetit.
JOQ Albania do t'ju mbajë të informuar sapo të ketë një reagim zyrtar nga autoritetet.