Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Yzberishtit, në Tiranë, ku janë përfshirë një skuter dhe një taksi. Si pasojë, dy të mitur, rreth 13-14 vjeç, kanë mbetur të lënduar.
Sipas dëshmisë së një qytetari për JOQ Albania, të rinjtë po lëviznin me skuter kur u përplasën me taksinë. Siç shihet edhe në pamjet e mbërritura në redaksi, njëri prej adoleshentëve ka mbetur i shtrirë pa ndjenja në mes të rrugës, ndërsa qytetarë të rastësishëm i kanë dhënë ndihmën e parë. Ndërkohë, i mituri tjetër shihet i vetëdijshëm, duke qarë pas aksidentit.
Dëshmitari pohon se njëri prej të miturve ka pësuar dëmtime më të rënda dhe fillimisht ishte pa ndjenja, ndërsa tjetri ka marrë vetëm dëmtime të lehta. Të dy janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Një dëshmitar i tha JOQ Albania se, sipas tij, në ngjarje ka pasur përgjegjësi edhe drejtuesi i taksisë, por ky pretendim mbetet i pakonfirmuar dhe pritet të sqarohet nga hetimet zyrtare.
Shkaqet dhe dinamika e plotë e aksidentit janë ende nën hetim.