Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se, pas krijimit të Shkollës Kombëtare të Fluturimit, Shqipëria do të ndërmarrë një tjetër projekt në fushën e mbrojtjes: hapjen e Shkollës Kombëtare të Forcave Speciale.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë inauguruese, Rama bëri të ditur se qeveria është në bisedime me partnerët izraelitë për të sjellë në Shqipëri një nga strukturat më të njohura në botë për stërvitjen, trajnimin, edukimin dhe certifikimin e forcave speciale.
Sipas tij, shkolla nuk do të shërbejë vetëm për efektivët shqiptarë, por synon të kthehet në një qendër rajonale trajnimi, e hapur edhe për kadetë nga vendet aleate, duke nisur nga Kosova dhe më pas edhe nga shtete të tjera.
“Jemi në diskutime me partnerët tanë për të sjellë një nga ekselencat botërore të stërvitjes, trajnimit, edukimit dhe certifikimit të forcave speciale nga Izraeli. Shkolla Kombëtare e Forcave Speciale do të jetë e hapur edhe për të tjerët dhe do të mirëpresë kadetë nga vendet aleate të rajonit, duke filluar nga Kosova e më gjerë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se synimi i qeverisë është që si Shkolla Kombëtare e Fluturimit, ashtu edhe Shkolla e Forcave Speciale, të shndërrohen në qendra ekselence me rëndësi rajonale në sistemin e mbrojtjes.
Ai shtoi se garancia për realizimin e këtij projekti mbështetet në bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me forcat e sigurisë dhe forcat ajrore të Izraelit, ndërsa bëri të ditur se institucioni do të bashkëpunojë edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë në të ardhmen.