Kaos në aeroportet e BE-së nga kontrollet biometrike, kompanitë ajrore kërkojnë pezullim të sistemit të ri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.07.2026, 16:42

Kompanitë ajrore dhe operatorët e aeroporteve në Europë kanë kërkuar pezullimin e përkohshëm të sistemit të ri të kontrollit kufitar biometrik të Bashkimit Europian gjatë sezonit të pikut të verës, duke paralajmëruar se situata po shkon drejt kolapsit operativ me radhë që zgjasin deri në pesë orë dhe fluturime që nisen pjesërisht bosh.

Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesit e industrisë së aviacionit kërkojnë që zbatimi i sistemit të mund të ndalet në mënyrë fleksibile, pasi fluksi i lartë i pasagjerëve po tejkalon ndjeshëm kapacitetet e pikave kufitare.

“Situata ka arritur në një pikë kritike”, thuhet në reagimin e përbashkët të ACI Europe, Airlines for Europe dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, të cilat paralajmërojnë se pasagjerët po presin në kushte të vështira, shpesh jashtë terminaleve dhe në ambiente të ekspozuara, ndërsa proceset e kontrollit nuk arrijnë të përballojnë ritmin e mbërritjeve. Sipas tyre, kjo ka sjellë edhe raste kur avionët nisen gjysmë të zbrazët ose me vonesa për shkak të pasagjerëve të bllokuar në radhë.

Grupet e industrisë kërkojnë që aeroportet të kenë të drejtën të pezullojnë plotësisht kontrollet biometrike në momentet kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetin, veçanërisht gjatë korrikut dhe gushtit, kur lëvizjet ajrore rriten ndjeshëm.

Sistemi i ri, i futur gradualisht që nga tetori i kaluar, kërkon regjistrimin biometrik të shtetasve jo-evropianë përmes gjurmëve të gishtave dhe fotografisë në pikat e hyrjes në BE. Por zbatimi i tij ka hasur probleme në disa vende, duke detyruar edhe masa të përkohshme lehtësuese në destinacione të ndryshme evropiane.

Sipas industrisë, situata aktuale po krijon jo vetëm vonesa të mëdha, por edhe dëmtim të imazhit të Evropës si destinacion turistik dhe transporti, me disa udhëtarë që po rishqyrtojnë planet e tyre për shkak të pritjeve të gjata në kufij.

Në letër theksohet gjithashtu se aeroportet europiane pritet të përballojnë rreth 40 milionë pasagjerë më shumë gjatë muajve të verës krahasuar me periudhën e mëparshme, duke rritur më tej presionin mbi sistemin.

Industria kërkon që Komisioni Europian dhe shtetet anëtare të ndërhyjnë urgjentisht, duke ruajtur fleksibilitetin në zbatimin e kontrolleve derisa të sigurohet staf i mjaftueshëm dhe teknologjia e re të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit