Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu paraditen e kësaj të diele fshatin Hekal, në Bashkinë Mallakastër, duke djegur disa hektarë sipërfaqe me shkurre dhe ullinj.
Sipas informacioneve paraprake, flakët u shfaqën rreth orës 09:00 të mëngjesit. Fillimisht, efektivët e shërbimit zjarrfikës të Ballshit arritën të vinin nën kontroll vatrën e zjarrit, por për shkak të erës së fortë, flakët u riaktivizuan sërish në orët e mesditës dhe u përhapën me shpejtësi në zonë.
Për neutralizimin e situatës u angazhuan forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, të mbështetura edhe nga repartet e Fierit. Duke qenë se vatra e zjarrit ndodhej pranë territorit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, operacioni u mbështet edhe me ndërhyrje nga ajri, për të shmangur përhapjen e flakëve drejt zonës së mbrojtur.
Pas disa orësh pune intensive, zjarri është shuar, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë territorin për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të vatrave, pasi era e fortë mbetet një faktor rreziku, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.
Deri më tani nuk raportohen dëme në banesa apo persona të lënduar, ndërsa dëmet janë kufizuar kryesisht në sipërfaqet me shkurre dhe ullinj. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit.