“Ky mjet ka tre ditë i parkuar te vijat e bardha, pronarja thotë se e ka blerë vendin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.06.2026, 18:08

Një qytetar nga Kavaja i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast problematik në zonën e Qerretit, ku një automjet është parkuar te vijat e bardha, duke penguar kalimin normal të këmbësorëve.

Në videon e dërguar në redaksi shihet qartë automjeti i parkuar mbi vendkalimin për këmbësorë, duke i detyruar qytetarët të devijojnë nga trotuari dhe të kalojnë në rrugë, mes automjeteve, për të vijuar lëvizjen.

Sipas denoncuesit, mjeti i përket shtetases me inicialet F. XH., e cila ka një biznes në zonë. Ai thotë se automjeti është lënë në të njëjtin vend prej tre ditësh, duke u kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët.

"S'kemi ku kalojmë me fëmijët. Detyrohemi të dalim në rrugë, sepse vijat e bardha i ka zënë makina. Ka tre ditë që e parkon aty dhe thotë 'e kam blerë unë vendin'", shprehet qytetari në mesazhin e dërguar në redaksi.

Parkimi mbi vijat e bardha është një shkelje që cenon sigurinë e këmbësorëve, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara. Fatkeqësisht, raste të tilla janë kthyer në një fenomen të përhapur në shumë qytete të vendit.

Banorët ngrenë edhe pyetjen për autoritetet përgjegjëse: Si është e mundur që një automjet të qëndrojë për ditë të tëra mbi vendkalimin e këmbësorëve pa asnjë ndërhyrje? Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por të garantojë sigurinë e çdo qytetari që lëviz në hapësirat publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit