Një banore e një pallati në rrugën "Thoma Koxhaj", pranë pallateve "Çabej" në Tiranë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas saj, vijon prej rreth dy vitesh dhe u ka kthyer jetën në një stres të vazhdueshëm.
Qytetarja ka dërguar disa video ku dëgjohen britma dhe të bërtitura që vijnë nga një apartament i pallatit. Në pamje dëgjohen ulërima të një gruaje, por nga video nuk është e mundur të përcaktohet se çfarë po ndodh konkretisht apo kujt i drejtohen thirrjet.
Sipas denoncueses, situata përsëritet pothuajse çdo ditë dhe natë, duke prishur qetësinë e të gjithë banorëve. Ajo pretendon se në apartament ndodhin konflikte të vazhdueshme familjare, ndërsa shton se edhe fëmijët përfshihen shpesh në zënka verbale dhe se banorët janë shqetësuar vazhdimisht nga kjo situatë.
Qytetarja thotë se bashkë me banorë të tjerë i janë drejtuar disa herë institucioneve dhe pronarit të banesës ku familja jeton me qira, por sipas saj deri më tani nuk është marrë asnjë masë dhe problemi vazhdon.
"Është e njëjta situatë çdo ditë e çdo natë. Nuk po rrimë më rehat në shtëpitë tona. Kemi bërë ankesa disa herë, por nuk ka ndryshuar asgjë", shprehet ajo.
Prishja e vazhdueshme e qetësisë publike është një problem që prek jo vetëm cilësinë e jetës së banorëve, por mund të jetë edhe sinjal se në një familje ka nevojë për ndërhyrje apo mbështetje nga institucionet kompetente. Për këtë arsye, raste të tilla nuk duhet të neglizhohen.
JOQ Albania u bën thirrje Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë këtë denoncim dhe të marrin masat e nevojshme, si për të garantuar qetësinë e banorëve, ashtu edhe për të sqaruar nëse pas zhurmave të përsëritura fshihet një problem që kërkon ndërhyrje.