Një operacion i koordinuar i autoriteteve doganore dhe sanitare në Maltë ka bllokuar një tentativë serioze për të futur në tregun vendas produkte ushqimore jashtë çdo standardi të sigurisë të Bashkimit Evropian. Një ngarkesë e larmishme ushqimesh me origjinë nga Shqipëria është sekuestruar në rrugë operative dhe, për shkak të rrezikut të lartë që paraqiste për shëndetin publik, është lëshuar menjëherë urdhri për asgjësimin e saj të plotë.
Gjithçka nisi mbrëmjen e së premtes, kur Autoriteti Tatimor dhe Doganor i Maltës pikasi një furgon të dyshimtë që po zbriste nga trageti i linjës me Sicilinë. Mjeti, i cili kishte përshkuar një itinerar të gjatë tranzit nga Shqipëria, u sinjalizua menjëherë për kontroll të dytë nga ana e agjencive ligjzbatuese.
Në vendngjarje u thirrën me urgjencë inspektorët e Autoritetit të Sigurisë Ushqimore. Kur ata hapën hapësirën e ngarkesës së furgonit, zbuluan një sasi të madhe mallrash të ndryshme të stivuara pa asnjë kriter profesional. Mes produkteve të bllokuara gjendeshin artikuj me rrezikshmëri të lartë biologjike si mishi, produktet e bulmetit dhe vezët, por edhe artikuj të tjerë konsumi si vaj ulliri, fasule, kripë, snack-e të ndryshme, si dhe pije freskuese e lëngje frutash.
Inspektorët maltezë hartuan një raport të detajuar ku renditën shkeljet e rënda që e bënin këtë ngarkesë të paligjshme dhe të rrezikshme për konsumatorët. Shkelja më flagrante ishte thyerja totale e zinxhirit të ftohjes, pasi ushqimet delikate që kërkojnë temperaturë strikte po transportoheshin në ambient të ngrohtë, duke rritur në mënyrë drastike rrezikun e kontaminimit nga bakteret vdekjeprurëse si Salmonella apo E.coli.
Përveç kushteve skandaloze të transportit, mallrat nuk kishin asnjë faturë, certifikatë fito-sanitare apo dokument origjine që të vërtetonte gjurmueshmërinë e tyre, pra se ku ishin prodhuar dhe si ishin kontrolluar fillimisht në Shqipëri. Gjithashtu, produkteve u mungonin etiketat ligjore mbi vlerat ushqyese dhe datat e skadencës, si dhe transportuesit nuk kishin bërë asnjë njoftim paraprak në sistemet doganore të Maltës, duke tentuar ta fusnin ngarkesën klandestine pa iu nënshtruar verifikimeve të rregullta kufitare.
"Në kushte të tilla, ku nuk dihet origjina dhe produktet kanë udhëtuar pa asnjë kontroll temperature, konsumi i tyre përbën një këncënim të hapur për jetën e qytetarëve. Vendimi i vetëm i mundshëm ishte sekuestrimi i menjëhershëm dhe eliminimi i tyre në incenerator," u shprehën zyrtarët e sigurisë ushqimore në Maltë.
Ky rast ka sjellë në vëmendje nevojën për kontrolle akoma më të rrepta në pikat kufitare detare, pasi transporti i ushqimeve pa kushte frigoriferike dhe jashtë kanaleve zyrtare mbetet një problem shqetësues për sigurinë ndërkombëtare të konsumatorëve.