Europol: Në Evropë veprojnë 731 rrjete të krimit të organizuar

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.06.2026, 15:20

Krimi i organizuar në Evropë nuk është në rënie, por po ndryshon formë dhe po bëhet më i sofistikuar. Ky është përfundimi kryesor i raportit të ri të Europolit “Dekodimi i Rrjeteve Kriminale Më Kërcënuese të BE-së”, i prezantuar më 26 qershor në Bruksel. Raporti, i hartuar me kontributet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, evidenton 731 rrjete kriminale aktive në BE, me mbi 400 mijë anëtarë nga 118 kombësi të ndryshme, që përbëjnë rreth 60% të totalit global. Krahasuar me vitin 2024, kur u identifikuan 821 rrjete, rreth 76% e tyre nuk shfaqen më në listën aktuale, por Europoli thekson se kjo nuk do të thotë ulje të krimit, pasi në vend të tyre janë shfaqur 533 rrjete të reja.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Europolit, Jürgen Ebner, deklaroi se organizatat kriminale po përshtaten duke shfrytëzuar dobësitë e sistemeve dixhitale, financiare dhe gjeopolitike. Sipas tij, arrestimi i një drejtuesi të rëndësishëm nuk e zhduk aktivitetin kriminal, pasi kërkesa dhe mundësia për fitim mbeten dhe menjëherë shfaqen persona të tjerë që marrin kontrollin. Raporti analizon 200 rrjetet më të qëndrueshme kriminale, të cilat karakterizohen nga struktura hierarkike, shpesh familjare, shtrirje ndërkombëtare, stabilitet financiar dhe përdorim të korrupsionit e frikësimit. 64% e rrjeteve kanë strukturë hierarkike, nga 57% në vitin 2024, ndërsa gati 80% kanë qenë aktive prej të paktën tre vitesh dhe një e treta prej më shumë se dhjetë vitesh. Po ashtu, 85% e organizatave përdorin biznese legjitime për të fshehur ose lehtësuar aktivitetet e paligjshme.

Sipas Europolit, trafikimi i drogës mbetet aktiviteti kryesor kriminal, duke përbërë 36% të rrjeteve, ndërsa mashtrimet online po rriten me shpejtësi. Një në pesë organizata ka lidhje direkte me Amerikën Latine, e cila përdoret si qendër për trafikimin e kokainës. Një tjetër shqetësim është rekrutimi i të miturve: 6% e rrjeteve kriminale përfshijnë fëmijë nga 8 deri në 17 vjeç për detyra të rrezikshme, nga shpërndarja e drogës deri te aktet e dhunës. Komisioni Evropian ka propozuar forcimin e mandatit të Europolit dhe rritjen e buxhetit të tij në 3 miliardë euro për periudhën 2028–2034, ndërsa prioritetet e ardhshme përfshijnë luftën ndaj infrastrukturës dixhitale kriminale, hetimet financiare, rikuperimin e pasurive të paligjshme dhe goditjen jo vetëm të individëve, por të gjithë ekosistemit kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit