Një tjetër denoncim në lidhje me sigurinë ushqimore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Këtë herë, një qytetar pretendon se ka gjetur shishe qumështi të prishura në frigoriferin e një supermarketi Big Market, pranë Urës së Institutit, në Kamëz.
Sipas denoncuesit, teksa po bënte blerjet, mori disa shishe qumështi nga frigoriferi dhe konstatoi se produkti ishte mpiksur dhe ishte kthyer në konsistencë të ngjashme me kosin, ndonëse data e skadencës rezultonte ende brenda afatit.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, qytetari merr disa shishe dhe shprehet: "Shikojeni, Big Market te Ura e Institutit. Është bërë qumështi kos. Data e skadencës është gjoja në rregull. Këta duket se i lënë frigoriferët fikur. Nuk ke më besim çfarë të blesh në market. Ja edhe kjo shishja tjetër, është bërë kos."
Ky denoncim ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e ruajtjes së produkteve ushqimore, veçanërisht në një periudhë me temperatura të larta si fundi i muajit qershor, kur zinxhiri i ftohjes është thelbësor për garantimin e sigurisë ushqimore.
Ky nuk është rasti i parë që në redaksinë e JOQ Albania mbërrijnë ankesa dhe denoncime nga qytetarët në lidhje me rrjetin Big Market. Gjatë viteve të fundit kemi publikuar dhjetëra raportime për problematika të ndryshme të ngritura nga konsumatorët, të cilat kanë nxitur reagime dhe shqetësime mbi standardet e shërbimit dhe ruajtjes së produkteve.
JOQ Albania publikon këtë rast në interes të informimit të publikut dhe fton Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) të kryejë verifikimet përkatëse, në mënyrë që të sqarohet nëse produktet janë ruajtur sipas kushteve të përcaktuara nga ligji.