Inflacioni dhe rritja e pandalshme e kostos së jetesës po ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm mbi buxhetet familjare në të gjithë kontinentin, duke e kthyer përballueshmërinë në kryefjalën ekonomike për qytetarët europianë. Në këtë kuadër, një raport i fundit i platformës Tradingpedia ka zbuluar një realitet tronditës për Shqipërinë: Tirana është renditur si qyteti i dytë më i shtrenjtë në Europë për sa i përket raportit mes shpenzimeve dhe të ardhurave.
Sipas raportit, i cili krahasoi të dhënat nga 37 kryeqytete evropiane duke marrë parasysh shpenzimet e përditshme dhe pagat mesatare neto mujore (paga reale pas zbritjes së taksave), një familje mesatare prej katër personash (dy të rritur në punë) në Tiranë shpenzon plotësisht 89% të të ardhurave të saj vetëm për të bërë një jetesë normale.
Në këto nivele alarmante, Tirana pozicionohet në Europë vetëm pas Lisbonës, e cila kryeson listën për koston e papërballueshme të jetesës.
Raporti merr në konsideratë një pagë neto prej 760 euro në muaj për një person në Shqipëri, çka do të thotë se të ardhurat e një familjeje me dy prindër në punë llogariten në 1,520 euro në muaj. Nga ana tjetër, shpenzimet minimale mujore për një familje me katër persona arrijnë në 1,353 euro, duke bërë që gati 90% e buxhetit të shkojë për mbijetesë.
Krahasuar me fqinjët e rajonit, Shqipëria ka një kosto jetese shumë më të kripur:
Shënim: Qyteti më i lirë për të jetuar në Europë në raport me pagën rezulton Brukseli, ku një person fiton mesatarisht 2,945 euro neto në muaj, ndërsa shpenzimet familjare zënë vetëm 45% të të ardhurave. (Të dhënat për Kosovën nuk ishin të përfshira në këtë raport).
Përveç shpenzimeve të përgjithshme, raporti i Tradingpedia ka bërë një analizë specifike të raportit qira-pagë për një individ. Edhe këtu, Tirana mban një rekord të zi, duke u renditur si qyteti i dytë më pak i përballueshëm në Europë, ku qiratë konsumojnë më shumë se 93% të pagës lokale.
Kjo krizë e strehimit udhëhiqet nga Lisbona, ku qiraja mesatare për një apartament (1,331 euro) gëlltit 99.15% të pagës neto (1,342 euro), duke u lënë banorëve vetëm 11 euro në xhep në fund të muajit. Pas Tiranës, qytetet me presionin më të lartë të qirave janë Kievi (88%), Porto (Ose 85%), Milano dhe Malaga (rreth 75%).
Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje galopante e çmimeve po prekin tashmë edhe qytetet e mesme dhe destinacionet turistike (si Barcelona, Valencia, Napoli dhe Roma), ku kërkesa e lartë turistike dhe qiratë afatshkurtra po nxjerrin jashtë tregut vendasit.
Në skajin tjetër të spektrit, qytetet e Europës Qendrore dhe Veriore mbeten oaze të përballueshmërisë falë pagave të larta:
Ky raport tregon qartë se ndërsa Europa Veriore dhe Zvicra mbrohen nga kriza përmes rritjes së pagave, në Europën Jugore dhe veçanërisht në Tiranë, hendeku mes kostove të jetesës dhe të ardhurave po shkon drejt pikës kritike për familjet e thjeshta.