Çfarë po ndodh në Nikaj-Mërtur? Banorët ngrenë alarmin për punime në shtratin e lumit

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 22.06.2026, 17:57

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë dhe qytetarë të lidhur me zonën e Nikaj-Mërturit në Tropojë, të cilët ngrenë pikëpyetje mbi disa punime që po kryhen në shtratin e lumit me mjete të rënda.

Sipas informacionit të përcjellë nga qytetarët, prej ditësh në zonë janë vënë re ndërhyrje që dyshohet se mund të lidhen me ndërtimin e pritave ose projekteve hidroenergjetike. Megjithatë, banorët shprehen se nuk kanë informacion të qartë mbi natyrën e punimeve, subjektin që po i kryen ato dhe ndikimin që mund të kenë në mjedis.

“Po ju shkruaj si qytetar për të raportuar një shqetësim serioz në zonën e Nikaj-Mërturit. Aktualisht po vërehen ndërhyrje në shtratin e lumit dhe punime me mjete të rënda, të cilat sipas informacionit lokal mund të jenë të lidhura me ndërtim pritash për HEC-e. Kjo po krijon shqetësim për dëmtimin e natyrës, ekosistemit dhe zhvillimit të turizmit në zonë”, thuhet në mesazhin e mbërritur në redaksi.

Banorët kërkojnë transparencë dhe përgjigje të qarta nga institucionet përgjegjëse. Kush po kryen punime në zonën e Nikaj-Mërturit? Çfarë projekti po zbatohet? A janë marrë të gjitha lejet mjedisore dhe ligjore? Cili do të jetë ndikimi në lumin dhe ekosistemin përreth? Dhe mbi të gjitha, çfarë të ardhmeje e pret një nga zonat më të virgjëra dhe më të bukura të veriut të Shqipërisë?

Shqetësimi vjen në një kohë kur debatet për mbrojtjen e zonave natyrore janë intensifikuar në të gjithë vendin. Banorët e Nikaj-Mërturit thonë se lumi dhe natyra përreth kanë qenë për dekada zemra e zonës, duke mbështetur jetën lokale, turizmin dhe bujtinat që vitet e fundit kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë.

Ata kërkojnë verifikim të menjëhershëm nga institucionet kompetente dhe sqarim publik mbi aktivitetin që po zhvillohet, në mënyrë që çdo ndërhyrje të jetë në përputhje me ligjin dhe me interesin e komunitetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit