Në GJKKO ka vijuar gjyqi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku është thirrur si dëshmitar ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango. I pyetur nga prokuroria, Pango ka deklaruar se ngjarjet e asaj periudhe nuk i mbante mend në detaje, duke theksuar se kanë kaluar rreth 18 vite dhe se kujtesa e tij është e kufizuar për dokumente dhe vendimmarrje konkrete të kohës.
Gjatë dëshmisë, ai është shprehur se në kohën kur ka mbajtur detyrën si ministër (2007–2009), prioritet kryesor i institucionit ka qenë zhvillimi i turizmit, ndërsa çështjet e sportit, sipas tij, nuk kanë qenë në fokus të veçantë. Pango ka shtuar se shumë prej dokumenteve të kohës i ka parë vetëm më vonë përmes medias, duke theksuar se nuk ka pasur arsye të veçanta për t’i mbajtur mend detajet administrative të asaj periudhe.
Ish-ministri është pyetur gjithashtu nga prokurorët për disa shkresa dhe procedura të lidhura me pronat e klubit shumësportësh “Partizani”, por ai ka përsëritur se nuk kujton detaje konkrete, përfshirë edhe emra apo dokumente specifike. Sipas tij, në atë kohë nuk ka pasur zhvillime që lidhen drejtpërdrejt me terrenet sportive, ndërsa ka këmbëngulur se shumë nga çështjet e trajtuara janë të paqarta për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar.