Shoqërohet nga policia gazetari Osman Stafa gjatë protestës në Tiranë?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.06.2026, 22:41

Një incident i paqartë është regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë protestës qytetare në Tiranë, ku sipas një videoje të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, gazetari Osman Stafa është shoqëruar nga efektivët e policisë.

Pamjet tregojnë momentin kur Stafa shoqërohet drejt një automjeti policie, ndërsa sipas dëshmisë së një qytetareje të pranishme në vendngjarje, në komisariat është shoqëruar edhe një grua. Deri në këto momente nuk dihen arsyet e ndërhyrjes së policisë dhe as rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas dëshmitares, situata ka nisur pas një debati verbal ku një grua dëgjohej duke bërtitur, ndërsa më pas kanë ndërhyrë forcat e policisë. Ajo pretendon se gazetari nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe se është marrë nga policia bashkë me gruan në fjalë. Këto pretendime mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.

Osman Stafa është një gazetarët më të njohur investigativë në vend, i njohur veçanërisht për denoncimet dhe raportimet e tij mbi problematikat në sistemin shëndetësor, përfshirë skandalet e denoncuara në repartin e Onkologjikut në QSUT. Raportimet e tij kanë sjellë reagime të shumta publike dhe institucionale gjatë viteve të fundit.

Ngjarja vjen në ditën e 22-të të protestës qytetare që po zhvillohet në kryeqytet, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike dhe për të kërkuar ndryshime politike.

JOQ Albania po ndjek zhvillimet e kësaj ngjarjeje dhe mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim apo sqarim zyrtar nga Policia e Shtetit, gazetari Osman Stafa apo personat e tjerë të përfshirë në incident.

Përditësim:

Pas publikimit të mëparshëm lidhur me një incident gjatë protestës qytetare në Tiranë, janë sqaruar rrethanat e ngjarjes ku u përfshi gazetari Osman Stafa.

Nga informacionet e siguruara më pas, rezulton se Osman Stafa nuk është shoqëruar nga policia, siç u mendua fillimisht nga disa dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje.

Sipas të dhënave të reja, gazetari ka shkuar në Komisariatin Nr. 3 për të depozituar një kallëzim ndaj dy personave që, sipas tij, e kanë intimiduar dhe fyer gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur teksa protestuesit po marshonin në rrugët e Tiranës. Sipas kolegut që ndodhej pranë Stafës në momentin e incidentit, një çift bashkëshortësh i është drejtuar gazetarit me fyerje për shkak të detyrës së tij.

Persona të tjerë të pranishëm kanë ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa më pas është njoftuar policia. Sipas informacioneve të disponueshme, forcat e rendit kanë shoqëruar burrin dhe gruan e përfshirë në konflikt, ndërsa gazetari është paraqitur në komisariat për të bërë denoncimin përkatës.

Videoja që mbërriti më herët në redaksinë e JOQ Albania krijoi përshtypjen se gazetari po shoqërohej nga policia, por zhvillimet e mëvonshme dhe informacionet shtesë kanë sqaruar se ai ndodhej aty në cilësinë e kallëzuesit dhe jo të personit të shoqëruar.

JOQ Albania publikon këtë sqarim në funksion të informimit të saktë të publikut dhe pasqyrimit korrekt të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit