“Erdha nga Kukësi për protestën, më gjobitën 290 mijë lekë sepse i rashë borisë dhe mbaja flamurin shqiptar”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.06.2026, 21:31

Një qytetar nga Kukësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke denoncuar atë që ai e konsideron një masë të padrejtë të policisë, pasi u gjobit me 290 mijë lekë të vjetra gjatë pjesëmarrjes në protestën e 22-të qytetare në Tiranë.

Në videon e dërguar në redaksi, ai shprehet i revoltuar, duke pretenduar se gjoba iu vendos vetëm pasi i ra borisë së automjetit dhe valëviti flamurin kombëtar për të përshëndetur protestuesit e mbledhur në bulevard.

Sipas tij, kishte udhëtuar nga Kukësi drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës kundër klasës politike që, sipas protestuesve, mban përgjegjësi për problematika si kostoja e lartë e jetesës, çmimet e ilaçeve, qiratë dhe apartamentet që po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët.

“Vetëm pse i rashë borisë dhe mbajta flamurin kombëtar në makinë, shikoni çfarë të bën shteti shqiptar. Të vish nga Kukësi, të lësh punën dhe të vish në protestë, e të gjobitesh pse përshëndet vëllezërit e tu që kanë dalë për të kërkuar të drejtat e tyre”, shprehet ai në video.

Denoncimi vjen vetëm një ditë pasi dhjetëra pjesëmarrës nga diaspora deklaruan se ishin gjobitur gjatë kthimit nga protesta e së shtunës, me pretendimin se kishin penguar qarkullimin rrugor. Disa prej tyre raportuan gjithashtu vështirësi në kalimin e kufirit për shkak të gjobave të papaguara.

Ndërkohë, qytetari nga Kukësi ngre pikëpyetje nëse masa të tilla mund të perceptohen nga protestuesit si forma presioni ndaj qytetarëve që zgjedhin të marrin pjesë në tubime publike. Për këto pretendime, JOQ Albania pret edhe një reagim nga Policia e Shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit