Një punonjës i një dyqani sportiv në Tiranë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të dyshuar vjedhjeje, që sipas tij është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit.
Ngjarja pretendohet të ketë ndodhur pasditen e djeshme në ambientet e Intersport TEG, ku sipas denoncuesit, një çift po shikonte dhe provonte produkte në dyqan. Në pamjet e sigurisë, të dërguara në redaksinë tonë, shihet një burrë që merr produktet dhe i fut poshtë tutave, ndërsa punonjësi ishte i angazhuar duke i shërbyer gruas që e shoqëronte.
Denoncuesi shprehet se nuk e di nëse veprimi ka qenë i koordinuar mes të dyve apo jo, por thotë se kamerat kanë regjistruar qartë momentin kur produktet merren nga rafti dhe fshihen poshtë veshjes.
Ai u bën thirrje personave në fjalë të paraqiten për të kthyer produktet dhe për të kërkuar falje, duke paralajmëruar se në të kundërt do t’ua kalojë rastin organeve kompetente për ndjekje të mëtejshme.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje JOQ,
Dëshiroj të ndaj një situatë të pakëndshme që më ndodhi sot në vendin tim të punës, në Intersport TEG. Rreth orës 15:00–15:10 kam qenë duke i shërbyer një çifti që po shikonte dhe provonte produkte në dyqan. Gjatë kohës që po i ndihmoja, ata kanë përfituar nga situata dhe kanë vjedhur dy produkte me vlerë.
Ishte një veprim shumë i shëmtuar dhe do ta vlerësoja nëse e postoni për t’i demaskuar këta lloj njerëzish që abuzojnë dhe për t’u thënë gjithë shqiptarëve se vjedhja është një veprim i shëmtuar që nuk duhet të ndodhë.
Ju bëj thirrje këtij çifti që të paraqiten për të bërë kthimin e produkteve dhe për të kërkuar falje para se të ndjek personalisht rrugët ligjore dhe të bëj denoncimin përkatës.
Ju falënderoj shumë që jeni një dritare për të gjithë ata që duan të denoncojnë këto veprime të shëmtuara dhe të kontribuoni në edukimin e brezit të ri për t’i thënë jo vjedhjes, këtij vesi të shëmtuar.
Unë i them jo vjedhjes, thuaje edhe ti!”