21 protesta, ku është Presidenti dhe Avokati i Popullit?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.06.2026, 15:54

21 protesta para Kryeministrisë, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshim politik dhe dorëheqje të qeverisë, por përgjegjësia institucionale po mbetet dukshëm e paadresuar nga dy figurat kryesore kushtetuese, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe Avokati i Popullit Endrit Shabani.

Shqiptarët i kanë kërkesat e qarta, por as njëri dhe as tjetri nuk kanë dalë ende në një qëndrim për të justifikuar karrigen që ngrohin dhe paratë që fusin në xhep. Presidenti ndoshta është i zënë duke pirë kafen pa sheqer, teksa avokat Shabani sapo mori postin harroi çfarë është protesta dhe e drejta e popullit.

Në një situatë me ngarkesë të lartë politike dhe sociale, roli i Presidentit nuk mund të mbetet në kufijtë formalë të deklaratave të përgjithshme. Kreu i shtetit, si garant i unitetit kombëtar, duhej të kishte ndërmarrë një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë institucionale, përfshirë thirrjen e Kryeministrit Edi Rama për të kërkuar sqarime mbi zhvillimet dhe tensionet e krijuara në terren. Në një krizë të zgjatur protestash, mungesa e një veprimi të tillë e dobëson funksionin real të institucionit presidencial.

Edhe më problematike paraqitet situata me Avokatin e Popullit, i cili në thelb është mekanizmi kryesor i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. Në një kohë kur protestuesit pretendojnë për shkelje të të drejtave dhe mungesë dialogu institucional, prania e këtij institucioni në terren dhe reagimi i qartë publik duhej të ishte i menjëhershëm dhe i vazhdueshëm. Heshtja ose prania e kufizuar e tij në këtë fazë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionalitetin e rolit që Kushtetuta i ngarkon.

Në këtë kontekst, institucionet që duhet të shërbejnë si balancë dhe garanci për qytetarët po perceptohen si të tërhequra nga përgjegjësia e tyre reale. Një situatë e tillë nuk është thjesht çështje forme institucionale, por test i drejtpërdrejtë për funksionimin e shtetit në raport me qytetarin në momentet e tensionit politik, ndaj shqiptarët thërrasin: oooo President Bajrami, oooo Avokat i Popullit ku jeni?!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit