Fëmijë të ndarë për së gjalli nga baballarët e tyre, prindër që u qan zemra për evladët, të rinj me diplomë por me sytë nga kurbeti, lot gëzimi dhe një atmosferë drithëruese, janë këto pamje, disa nga copëzat e forta emocionale që përshkruajnë protestën që po zhvillohet në Shqipëri. Në ditën e 21 të protestës, më 20 qershor, nëna Shqipëri mirëpriti bijtë e saj të diasporës, të cilët me mall kërkojnë të kthehen në tokën ku lindën dhe shqipëruan fjalët e para, duke sjellë me vete histori sakrifice, emigrimi dhe shprese të gjatë të mbajtur gjallë.
Siç shihet në pamje, shqiptarë të lodhur nga një klasë politike 35-vjeçare që ka zhgënjyer pritshmëritë dhe ka shtyrë shumë familje drejt largimit, janë bashkuar në një thirrje të përbashkët për ndryshim. Mes flamujve kuqezi, përqafimeve dhe lotëve të njerëzve që nuk janë parë prej vitesh, atmosfera është përshkruar si një përzierje e dhimbjes dhe shpresës, ku secili mbart një histori personale malli dhe sakrifice, por edhe besim se bashkimi mund të sjellë një të ardhme më të drejtë për vendin.
Diaspora foli dhe shqiptarët u dëgjuan në një zë të vetëm, ndërsa sot një pjesë e protestuesve vijon të qëndrojë e ngujuar në shesh, duke mos u tërhequr nga kërkesat e tyre. Në mes të kësaj atmosfere të ngarkuar emocionalisht, mesazh i tyre mbetet i qartë dhe i fort, dëshirë për një shtet që mbron qytetarët e vet dhe nuk i detyron të largohen, por i jep arsye të kthehen e të ndërtojnë jetën në atdhe.
A do të jetë kjo protestë një pikë kthese për të ardhmen e vendit?