“Çoja fëmijët e saj aty”/ Prona e fshehur e Ballukut në “White Rocks”, zbardhet dëshmia e shoferit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.06.2026, 15:43

Sipas një dosjeje hetimore të raportuar, SPAK po verifikon dyshimet se një vilë në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi mund të jetë përdorur dhe frekuentuar nga ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe familjarët e saj, në kuadër të një hetimi për pasuri të dyshuara të fshehura. Në këtë kontekst, është marrë në pyetje edhe Albert Ushe, i cili për rreth 8 vite ka shërbyer si shofer i saj dhe më pas i fëmijëve të saj, dhe që ka dhënë shpjegime mbi lëvizjet e tyre drejt vilës në fjalë.

Sipas deklarimeve të tij, fëmijët e Ballukut janë dërguar herë pas here në vilën F6 në Dhërmi me kërkesë të saj, ndërsa aty është dërguar edhe një person i afërt me familjen. Ushe ka thënë gjithashtu se vila është përmendur si “vila e shefes”, pa pasur dijeni për pronësinë e saj. Paralelisht, hetuesit kanë kërkuar të dhëna nga kompanitë celulare dhe sipas raportimeve, sinjali i telefonit të Ballukut është lokalizuar në zonën e kompleksit gjatë viteve 2024–2026.

Po ashtu, vila F6 është vendosur nën sekuestro me dyshime se mund të jetë përfituar si ryshfet nga kompania “Eurocol”, në këmbim të një tenderi kur Balluku drejtonte Albcontrol. Prona rezulton të jetë në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, i cili e ka ankimuar vendimin duke pretenduar se është pronar i ligjshëm dhe se objekti është përdorur për shkak të një marrëdhënieje miqësore. Hetimet për çështjen vijojnë ende.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit