Detaje të reja janë bërë publike nga dosjet hetimore që lidhen me një grup personash, mes tyre edhe disa biznesmenë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprimtari të trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas materialeve të referuara në kuadër të një hetimi ndërkombëtar dhe vendimeve të GJKKO-së për masat e sigurisë, autoritetet e drejtësisë në Spanjë dhe disa vende të tjera europiane kanë sjellë të dhëna që lidhen me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Në dokumentet e përfshira në një letërporosi ndërkombëtare, përmenden takime të zhvilluara në disa shtete të Europës dhe më gjerë, të cilat sipas hetuesve dyshohet se kanë shërbyer për planifikimin dhe koordinimin e operacioneve të trafikut të lëndëve narkotike.
Mes emrave të përfshirë në hetime përmenden Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti dhe Erjon Rama, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në takime në vende të ndryshme si Spanja, Monako, Gjermania, Belgjika, Aruba dhe të tjera destinacione europiane dhe ndërkombëtare.
Hetuesit pretendojnë se në këto takime janë diskutuar çështje që lidhen me blerjen, transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në tregun europian, si dhe mënyrat e qarkullimit të të ardhurave të dyshuara kriminale.
Në dosje përmenden gjithashtu komunikime mes personave nën hetim, si dhe referenca për takime në qytete si Antwerp në Belgjikë dhe Majorka në Spanjë, të cilat sipas autoriteteve hetimore kanë pasur rol në organizimin dhe koordinimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.