Sipas tij, një incident i izoluar mes rojeve të sigurisë private dhe një qytetari, i cili përfundoi me përplasje fizike, është shndërruar në pikënisjen e një vale reagimesh globale në rrjetet sociale. Rama e lidh këtë reagim jo me çështjen në vetvete, por me kontekstin ndërkombëtar, duke përmendur edhe emrin e Jared Kushner dhe tensionet politike që, sipas tij, kanë ndikuar në mënyrën se si është interpretuar ngjarja në arenën online.
Kryeministri ka komentuar gjithashtu edhe protestat që po zhvillohen prej afro tre javësh në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e tij. Ai i ka krahasuar këto zhvillime me protesta të mëparshme, duke përmendur edhe çadrën e opozitës në vitin 2017 dhe dështimin e asaj lëvizjeje për të sjellë ndryshimin e kërkuar.
Në një analizë të gjatë alla Rama, ai ka theksuar se debati mbi një projekt zhvillimi në zonën e Nartës është shndërruar, sipas tij, në një konflikt më të gjerë ideologjik dhe global, ku ndërthuren qëndrime antikapitaliste, anti-Trump dhe narrativat e rrjeteve sociale.
Ai shton se Shqipëria është bërë pjesë e një “stuhi dixhitale” ku përfshihen aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendas, nga politika, media dhe rrjetet sociale, duke e transformuar një çështje lokale në një debat shumë më të gjerë se realiteti i saj fillestar.
Në përfundim, Rama e paraqet këtë situatë si një shembull të fuqisë së algoritmeve dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimit publik, duke paralajmëruar se fenomene të tilla do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta në të ardhmen.