Banorët e fshatit Lukovë kanë ngritur shqetësimin për një situatë që, sipas tyre, po prek interesin publik dhe lëvizjen e përditshme të komunitetit.
Sipas denoncimit të bërë nga qytetarët, një person privat, i cili ka blerë një parcelë toke në zonë, akuzohet se ka rrethuar jo vetëm pronën e tij, por edhe një pjesë të tokës shtetërore me ullishte. Banorët thonë se si pasojë e këtij veprimi është bllokuar një shteg tradicional, i përdorur prej qindra vitesh nga banorët e zonës.
Sipas tyre, për këtë rast janë paraqitur ankesa pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Qytetarët shprehen se pronari synon të ndërtojë vila druri në zonë dhe, sipas pretendimeve të tyre, po kërkon të devijojë rrugën ekzistuese pranë lumit.
Banorët ngrenë shqetësimin se një zgjidhje e tillë mund të krijojë probleme serioze infrastrukturore. Sipas tyre, rruga alternative nuk do të përballonte qarkullimin e automjeteve, ndërsa gjatë stinës së dimrit ekziston rreziku që lumi të dëmtojë argjinaturën dhe të shkaktojë degradimin e mëtejshëm të rrugës.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve kompetente për të verifikuar situatën në terren, për të sqaruar statusin e pronësisë së tokës së përfshirë dhe për të garantuar aksesin e banorëve në rrugën që, sipas tyre, përdoret prej brezash nga komuniteti lokal.
Sipas denoncuesit, shqetësimi përfaqëson interesin e rreth 600 familjeve të fshatit Lukovë.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje jeta osht qef! Po ju shkruaj per nje problematike shume te rendesishme duke pare dhe zhvillimet e fundit.
Jemi ne lukove ku nje zoteri nga berati slender ka blere nje cope toke dhe ka zaptuar gjysmen tjeter qe eshte toke shteterore ullishte Tani ne fjale zoteria ka rrethuar token e vet dhe ka marre disa metra nga Toka shteterore dhe ka bllokuar shtegun 500 vjeqar qe perdoren nga te gjithe fshataret e zones Jane bere disa ankesa ne organet ligjzbatuese por pa asnje efekt zoteria do te ndertoje villa druri dhe duke perfituar nga kjo Copa tjeter shteterore kerkon te zere rrugen dhe ta devijoje anes lumit por problemi qendron 1 rruga aty nuk do mbaje dot kalimin e makinave dhe e dyta ne dimer qe do vije lumi duke grryer argjinaturen dhe nga pesha e makinave rruga do prishet perseri ju lutem nese do mundeni ta postoni si priblematik sepse eshte nje problem I madh un qe Po ju shkruaj jam nje gazetar dhe Po ju shkruaj ne emer te 600 familjeve te fshatit