Mesfushori i Kanadasë, Ismaël Koné, rrezikon të humbasë pjesën e mbetur të Kupës së Botës FIFA 2026 pasi pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë gjatë fitores së thellë 6-0 ndaj Katarit të enjten në Vankuver.
24-vjeçari u lëndua në fillim të pjesës së dytë, kur mesfushori i Katarit, Assim Madibo, ndërhyri vonë dhe me forcë. Pamjet treguan se këmba e poshtme e Koné u përkul në mënyrë të frikshme pas kontaktit, duke bërë që lojtarët dhe stafi mjekësor të kërkonin menjëherë barelën.
Fillimisht, arbitri ndëshkoi Madibon me karton të verdhë, por pas rishikimit me VAR, vendimi u ndryshua në karton të kuq. Ky ishte përjashtimi i dytë për Katarin në këtë takim.
Koné mori trajtim mjekësor për disa minuta në fushë përpara se të transportohej në spital me këmbën e stabilizuar. Federata Kanadeze nuk konfirmoi menjëherë natyrën e dëmtimit, megjithëse ekziston frika për një frakturë të rëndë që mund ta lërë jashtë fushës për 4-5 muaj.
Futbollistët e Kanadasë u mblodhën rreth Koné gjatë trajtimit të tij, ndërsa disa prej tyre dukeshin qartë të prekur nga ashpërsia e incidentit. Por në fund të ndeshjes një përleshje e ashpër ndodhi pasi ekipi kanadez iu vërsul atyre të Katarit duke i fajësuar për dëmtimin e shkaktuar ndaj Koné.
Ndërkohë mesfushori i Katarit, Assim Madibo i cili bëri ndërhyrjen e rëndë u pa në lot dhe tepër i tronditur nga ajo që kishte ndodhur. Pas largimit me karton të kuq ai shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes ku i kërkoi falje personalisht Konés.