Shoku i ngushtë e qëlloi pas shpine, policia rikthehet në vendin ku u gjet trupi i Eglantit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.06.2026, 13:01

Një ditë pasi u gjet trupi i pajetë i Eglant Koçit, policia është rikthyer sërish në vendngjarje, në zonën e fshatit Cerrujë pranë liqeneve të Funarit, ku vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 34-vjeçarit.

Pas dy javësh kërkime intensive, trupi i Koçit u lokalizua me ndihmën e dronëve, në një terren të vështirë dhe në një greminë, ku efektivëve iu desh të ecnin për disa orë për të arritur në vendin ku ndodhej viktima.

Sipas verifikimeve paraprake të hetuesve, identifikimi i 34-vjeçarit është bërë fillimisht në bazë të rrobave dhe atleteve që mbante veshur, ndërsa trupi është transportuar në morg për ekspertizë të mëtejshme. Nga këqyrja e parë është konstatuar një plagë në kokë, e dyshuar si e shkaktuar nga një armë zjarri, çka dyshohet se mund të ketë qenë shkaku i vdekjes.

Megjithatë, për të arritur në një përfundim përfundimtar, ekspertët kanë marrë mostra ADN-je nga nëna dhe vëllai i Eglant Koçit, të cilat do të krahasohen për të konfirmuar zyrtarisht identitetin e trupit.

Eglant Koçi rezultonte i zhdukur që prej datës 4 qershor. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim mikun e tij të ngushtë, Armand Shakaj, ndërsa ka vënë në pranga edhe kamerierin e lokalit të tij, Enea Zyferi. Hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi dinamikën dhe motivet që çuan në vdekjen e 34-vjeçarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit