“Rama në burg, Berisha në burg”, tensione përpara selisë së PD-së

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.06.2026, 20:42

Protesta qytetare kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit ka hyrë sot në ditën e saj të 19-të, duke sjellë edhe një ndryshim në itinerarin e marshimit.

Pasi u mblodhën në Sheshin Skënderbej, qytetarët marshuan fillimisht drejt Parlamentit dhe më pas ndaluan përpara selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrje si "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "opozitë e shitur".

Në pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, protestuesit shihen teksa qëndrojnë për disa minuta përpara godinës së PD-së, ndërsa nuk munguan debatet dhe momentet e tensionit verbal me disa anëtarë dhe mbështetës të partisë që ndodheshin në hyrje të selisë.

Situata mbeti nën kontroll dhe pas disa minutash qytetarët vijuan marshimin pa incidente të tjera, duke lënë pas selinë e opozitës dhe duke u drejtuar drejt Kryeministrisë.

Ndalimi para Partisë Demokratike vjen në një moment kur protestuesit kanë theksuar vazhdimisht se lëvizja e tyre nuk është e drejtuar vetëm kundër qeverisë aktuale, por kundër të gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur dhe dominuar jetën politike të vendit gjatë 35 viteve të demokracisë.

Aktualisht, qytetarët po marshojnë drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalimet e radhës, ndërsa më pas protesta do të vijojë me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit