Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar një kallëzim në Prokurori kundër deputetes socialiste Marjana Koçeku, pas deklaratave të saj publike ku ajo pretendonte se anëtarë të familjes Bajri e kishin kërcënuar atë dhe familjen e saj me jetë. Në kallëzimin e bërë publik për mediat, ata e cilësojnë deklaratën e deputetes si të pavërtetë dhe të pambështetur në asnjë provë konkrete, duke kërkuar hetim penal për rrethanat e bëra publike.
Kliko këtu për të lexuar kallëzimin e plotë
Sipas pretendimeve të tyre, anëtarë të familjes Bajri ndodhen aktualisht të privuar nga liria dhe për këtë arsye nuk kanë pasur mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen. Ata theksojnë gjithashtu se deputetja nuk ka paraqitur asnjë provë materiale apo dokumentare pranë organeve kompetente për të mbështetur akuzat e saj, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e deklarimeve të bëra.
Në kallëzim, Bajrët i kërkojnë Prokurorisë regjistrimin e procedimit penal, verifikimin e plotë të deklaratave dhe përgjegjësisë së deputetes Marjana Koçeku, si dhe hetimin e arsyes së publikimit të këtyre pretendimeve dhe personave të mundshëm që mund ta kenë nxitur. Po ashtu, ata kërkojnë ruajtjen e menjëhershme të postimit origjinal në rrjete sociale dhe të të dhënave teknike të tij, si dhe administrimin e të gjitha provave përkatëse dhe njoftimin e tyre për veprimet hetimore të ndërmarra nga organet e drejtësisë.