Erjon Rama, një nga personat e akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Luçiano dhe Abedin Koçeku, është vetëdorëzuar këtë të enjte në Tiranë. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa dorëzimi pranë autoriteteve vjen disa ditë pas operacionit të gjerë të SPAK kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Në të njëjtin hetim janë përfshirë edhe vëllai i tij, Adrian Rama, me të cilin dyshohet se kanë luajtur rol në legalizimin e të ardhurave të grupit kriminal.
Sipas dosjes hetimore, Erjon dhe Adrian Rama, të afërm të Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, dyshohet se kanë investuar dhe administruar pasuri të konsiderueshme që lidhen me aktivitetin kriminal të grupit. SPAK ka sekuestruar 7 vila në Palasë, të shitura nga dy vëllezërit, si dhe 1.626.000 euro të përfituara nga shitja e tyre, të depozituara në llogaritë bankare të tyre. Gjithashtu janë bllokuar 9 llogari bankare të Erjon Ramës, 21 llogari bankare të Ardian Ramës, tre llogari të kompanisë “Kryeon.83”, një pasuri në Sallmone të Shijakut bashkë me 58 milionë lekë të përfituara nga shitja e saj, si dhe disa prona të tjera luksoze.
Mes pasurive të sekuestruara përfshihen edhe 2 vila në Rolling Hills, një truall në Sarandë, 3 vila dhe 2 apartamente në Jalë, si dhe kompania “Kryon.83” me seli në Tiranë dhe Prishtinë. Vëllezërit Rama janë nipat e Fatmir Ramës, i cili u vra në vitin 2003 në kompleksin “Kartodrom 2000” në periferi të Tiranës. Sipas të dhënave të kohës, Rama u ekzekutua së bashku me dy persona të tjerë kur dy autorë të maskuar hapën zjarr ndaj tavolinës ku ata ndodheshin, në një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të asaj periudhe.