Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dhënë detaje lidhur me operacionin e zhvilluar në qarkun e Korçës, në bashkëpunim me SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku janë ekzekutuar masa sigurie ndaj tre zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të këtij institucioni.
Sipas AMP-së, ndaj Glodian Gëzim Ahmetajt është caktuar masa “ndalim i daljes jashtë shtetit”, me detyrimin për të mos u larguar nga territori i Shqipërisë dhe për të dorëzuar dokumentet e udhëtimit. Ndërkohë, ndaj Klevis Ramadan Hoxhës, ish-drejtor rajonal i AMP-së, janë vendosur masat “paraqitje në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, me detyrim paraqitjeje në javën e parë të çdo muaji, të hënën në orën 11:00. Për ish-shefin e sektorit të AMP-së, Devis Ramadan Ago, është caktuar masa “paraqitje në Policinë Gjyqësore” çdo muaj, të hënën në orën 12:00.
Gjatë operacionit janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash me urdhër të autoritetit procedues, në kuadër të hetimeve për dyshime për shpërdorim detyre. AMP bën me dije se procedimi penal është ndjekur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndërsa hetimet vijojnë për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rastit.