Oligarket e Shëndetësisë Vilma Nushi dhe Merita Sheqi vjedhin 620,000€ për ilaçet tek Onkologjiku

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.06.2026, 12:02

Një tender me vlerë rreth 664 milionë lekë pa TVSH për furnizimin me medikamentin “Goserelin 10.8 mg” për nevojat e shërbimit Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka ngritur pikëpyetje të forta mbi konkurrencën dhe transparencën e procedurës.

Procedura e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara është shënuar nga Open Data Albania me “Flamur të Kuq”, duke sinjalizuar risk të lartë për korrupsion. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “TRIMED” dhe “REJSI FARMA”, ndërsa në garë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm një ofertues.

Vlera totale e katër loteve të kontratës llogaritet rreth 956 mijë euro pa TVSH.

Sipas të dhënave të procedurës, kushtet e tenderit kërkonin një formë dhe dozë shumë specifike të medikamentit, si dhe autorizime të lidhura me prodhuesin MAH. Këto kritere konsiderohen se mund të kenë kufizuar ndjeshëm numrin e operatorëve ekonomikë që kishin mundësi të konkurronin.

Një element tjetër që ka shtuar dyshimet lidhet me faktin se “TRIMED” dhe “REJSI FARMA”, të cilat në të kaluarën kanë konkurruar si subjekte të ndara për të njëjtin medikament, këtë herë u paraqitën në formën e një bashkimi operatorësh. Në tenderin e vitit 2020, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, të dy kompanitë kishin marrë pjesë veçmas.

Ky fakt ka nxitur dyshime për marrëveshje paraprake mbi mënyrën e pjesëmarrjes në tendera dhe ndarjen e tregut.

Në qendër të vëmendjes është kompania “TRIMED”, e cila në dokumentacionin zyrtar figuron në pronësi të Endrit Hidos. Hido është nipi i oligarkes së Shëndetësisë Vilma Nushi.

Emri i Vilma Nushit është përmendur shpesh në debatet publike që lidhen me koncesionin e Check-Up-it. Raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar problematika në zbatimin e kontratës, duke konstatuar pagesa për shërbime të pakryera dhe përfitime që, sipas auditimeve, kanë sjellë rritje të konsiderueshme të fitimeve të kompanisë koncesionare.

Ndërkohë, koncesioni i Check-Up-it rezulton të jetë nën hetim nga SPAK prej disa vitesh, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në vitin 2020.

Një tjetër emër që lidhet me tenderin e fundit është Merita Sheqi, pronare e kompanisë “REJSI FARMA”. Së bashku me bizneset e lidhura me familjen e saj, ajo konsiderohet një nga operatorët më të mëdhenj në sektorin farmaceutik, me qindra kontrata publike të fituara ndër vite në institucionet shëndetësore me shkelje të theksuara ligjore.

Në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë evidentuar gjithashtu problematika që lidhen me barnat e skaduara. Gjatë një kontrolli të kryer në fund të vitit 2022 në depon importuese të “REJSI FARMA”, audituesit konstatuan 18 lloje medikamentesh të skaduara, me një sasi prej rreth 12 mijë njësish dhe vlerë mbi 400 mijë euro.

Sheqi po hetohet për kontrabandë ilaçesh të skaduara ndërkohë i jepet një tender i majmë për pacientët me kancer të Onkologjikut, ndërsa Nushi për Check Up. Të dyja oligarket pavarësisht se janë nën hetim nga SPAK përfitojnë para publike nga sektori i Shëndetësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit