Daut Haradinaj konfirmon largimin nga Kuvendi: Përgjegjësia ndaj vendit nuk matet vetëm me një pozitë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.06.2026, 09:50

Daut Haradinaj nga Aleanca ka ripërsëritur se do ta lirojë pozitën e deputetit, duke i qëndruar premtimit të dhënë më herët për t’u krijuar hapësirë kolegëve të tij në Kuvend.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është shprehur krenar me kombin dhe vendin e tij, ndërsa ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit.

“Unë jam krenar me kombin tim dhe me vendin tim. Për të gjithë ata që e duan Kosovën të zhvilluar dhe në rrugën e drejtë, ndihem i vlerësuar dhe mirënjohës për besimin që ma keni dhënë. Por mbi të gjitha, dua t’i falënderoj ata që më përzgjodhën si përfaqësues të tyre”, tha ai.

Haradinaj ka theksuar se zëri i tij nuk do të jetë i pranishëm vetëm në foltoren e Kuvendit, por kudo ku kërkohet angazhim për Kosovën.

“Zëri im nuk do të jetë vetëm në foltoren e Kuvendit. Zëri im do të jetë i pranishëm kudo ku kërkohet angazhim për Kosovën, për interesin e qytetarëve dhe për të ardhmen që e duam të gjithë. Siç kam premtuar që në fillim, do ta liroj pozitën e deputetit për t’u dhënë hapësirë kolegëve të mi. Këtë e bëj me bindjen se përgjegjësia dhe kontributi ndaj vendit nuk maten vetëm me një pozitë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e tij në mbështetje të vlerave kombëtare, historisë dhe kauzave që i shërbejnë Kosovës.

“Përkundrazi, do të jem edhe më aktiv në mbështetje të vlerave tona kombëtare, historisë sonë dhe çdo kauze që i shërben Kosovës. Vendi im i vetëm është Kosova. Kosova e dëshmorëve dhe martirëve tanë. Kosova për të cilën është sakrifikuar shumë dhe që meriton më të mirën nga secili prej nesh. Për mua, Kosova ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë mbi të gjitha. Faleminderit për besimin”, deklaroi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit