Një aksident është regjistruar pranë zonës turistike të Syrit të Kaltër, në Bashkinë Finiq, ku dy persona kanë dalë nga rruga me motor dhe kanë përfunduar në një humnerë në anë të aksit.
Sipas informacioneve paraprake, një prej të aksidentuarve është shtetase e huaj. Fatmirësisht, pavarësisht rënies në terren të vështirë, të dy kanë pësuar vetëm lëndime të lehta.
Në videon e siguruar nga JOQ Albania shihet momenti kur turistja nxirret nga vendi i aksidentit dhe transportohet me barrelë drejt ambulancës, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe personeli mjekësor kujdesen për dhënien e ndihmës së parë.
Në operacionin e shpëtimit morën pjesë forcat zjarrfikëse, efektivët e Policisë së Shtetit dhe ekipet e Urgjencës Mjekësore, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e të lënduarve nga zona ku kishin rënë.
Më pas, të dy personat u transportuan drejt Spitalit të Sarandës për ekzaminime dhe ndihmë mjekësore shtesë.
Autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe shkaqet që çuan në daljen e motorit nga rruga.