Zbardhen bisedat e Belinda Ballukut për vilën luksoze në Dhërmi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.06.2026, 18:29

jë telefon i sekuestruar nga BKH ka nxjerrë në dritë detaje të reja mbi vilën luksoze në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, që sipas hetimeve të SPAK dyshohet se përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Bëhet fjalë për një iPhone 11 Pro të sekuestruar ndaj Viola Haxhiademit, ish-sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjatë ekspertimit të telefonit janë zbuluar emaile të vitit 2018, ku përmendet drejtpërdrejt një vilë që sipas hetuesve lidhet me Ballukun.

Në një komunikim me motrën e saj, Dorela Haxhiademi, Viola shkruan:

“Zemër, po të dërgoj fotot e Belës, që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6. Më pëlqen shumë, puç!”

Ky email është bërë një nga provat që SPAK po përdor për të mbështetur dyshimet se vila F-6 në kompleksin “White Rocks” mund të jetë përfitim i ardhur nga korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Sipas dosjes hetimore, vila ndodhet në kompleksin luksoz të ndërtuar nga kompania “Eurocol” në zonën e Drimadhes, Dhërmi. Prokurorët pretendojnë se përfitimi i kësaj prone lidhet me dy procedura prokurimi të zhvilluara në Albcontrol gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Belinda Balluku.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime mes biznesmenëve Fejzi Kodra dhe Pandeli Carapuli, ku flitet për procedurën e rikonstruksionit të godinës teknologjike të Albcontrol. Sipas SPAK, këto komunikime tregojnë se fituesi i tenderit ishte i paracaktuar dhe se përgatitjet për ofertën kishin nisur përpara shpalljes zyrtare të procedurës.

Në dosje përmendet edhe emri i Evis Berberit, në atë kohë shef i sektorit të prokurimeve në Albcontrol, si dhe disa anëtarë të njësisë së prokurimit.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është historia e pronësisë së vilës F-6.

Sipas dokumenteve, vila është porositur fillimisht në emër të ish-futbollistit Igli Tare në dhjetor 2018, me një vlerë prej 145 mijë eurosh. Nga kjo shumë janë paguar vetëm 70 mijë euro, ndërsa 75 mijë euro të tjera rezultojnë ende të papaguara.

Për pasojë, sipas SPAK, vila vijon të figurojë juridikisht në pronësi të kompanisë ndërtuese “Eurocol”, pasi nuk është kryer transferimi përfundimtar i pronësisë.

Nga ana tjetër, prokuroria pretendon se përdorimi dhe posedimi faktik i vilës lidhet me Belinda Ballukun, duke e konsideruar atë një përfitim të parregullt që buron nga favorizimi i kompanisë fituese në tenderët e Albcontrol.

Çështja mbetet në hetim dhe SPAK po vijon të mbledhë prova për të përcaktuar nëse vila në kompleksin “White Rocks” është përfituar si rezultat i veprave korruptive dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Dosja është një nga hetimet më të rëndësishme që prek ish-numrin dy të qeverisë dhe një nga figurat më të fuqishme të kabinetit Rama gjatë viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit