Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, nuk mundi të përmbante emocionet pasi realizoi golin e tij të parë në këtë Kupë Bote, duke u përlotur në fushë në një moment që preku miliona tifozë në mbarë botën.
Sipas raportimeve të “The Sun”, pas këtij reagimi emocional fshihet edhe shqetësimi i 38-vjeçarit për gjendjen shëndetësore të babait të tij, Jorge Horacio Messi. 68-vjeçari ka qenë një nga njerëzit më të afërt në karrierën e yllit argjentinas, duke shërbyer prej vitesh si agjent dhe menaxher i çështjeve të tij komerciale.
Momenti që bëri xhiron e botës ndodhi në stadiumin Arrowhead Stadium, në Kansas City, menjëherë pasi Messi realizoi një tregolësh në fitoren bindëse 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në sfidën hapëse të turneut.
Paraqitja spektakolare e tij e vendosi menjëherë mes kandidatëve kryesorë për “Këpucën e Artë”, por përtej shkëlqimit në fushë, vëmendjen më të madhe e morën lotët e tij, të cilët sipas mediave lidhen me situatën delikate që po kalon familja e tij.
Pas përfundimit të takimit, Messi foli edhe për emocionet që përjetoi në atë moment, duke deklaruar:
“Sinqerisht, është diçka krejtësisht e palidhur me sportin. Kanë qenë disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara”, u shpreh ai.
Më vonë, gazetari argjentinas Eduardo Feinmann dha më shumë detaje gjatë një transmetimi në Radio Mitre, duke zbuluar se shqetësimi lidhet me gjendjen e babait të Mesit.
“Ka të bëjë me babain e tij. Babai i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo situatë vazhdon prej disa muajsh, që nga viti i kaluar. Gjatë kësaj jave pati disa zhvillime që e përkeqësuan disi gjendjen e tij dhe Mesi po përballet me këtë sfidë personale”, deklaroi gazetari.