30 minuta mall për familjarët në një kasetë, qytetari kërkon familjen e nëna Diles

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.06.2026, 16:43

Një histori prekëse, që rikthen kujtimet e një kohe kur një kasetë me zë ishte mënyra më e çmuar për të mbajtur gjallë lidhjen me familjen, ka mbërritur në redaksinë e JOQ.

Një qytetar tregon se ka blerë rastësisht një kasetë të vjetër, pasi është pasionant pas muzikës në këtë format. Në mesin e koleksionit të tij, ai ka gjetur një kasetë me mbishkrimin “Merr Nena Dilia”, e cila nuk përmban këngë, por një regjistrim të rrallë familjar të realizuar nga emigrantë shqiptarë në Greqi.

Për rreth 30 minuta, në kasetë dëgjohen zërat e anëtarëve të një familjeje që flasin njëri pas tjetrit, ndajnë përshëndetje, kujtime dhe mall për njerëzit e tyre në Shqipëri. Në regjistrim përmenden emra si Nënë Dilia, Flori, Titi, Leta, Lida, si dhe Raqi, që thuhet se është dhëndri i familjes.

Për brezat e sotëm mund të duket e pazakontë, por dikur këto kaseta ishin një urë mes emigrantëve dhe familjarëve të tyre. Në një kohë kur telefonatat ndërkombëtare ishin të shtrenjta dhe teknologjia nuk ekzistonte si sot, shqiptarët regjistronin zërin e tyre në kaseta dhe ua dërgonin të afërmve, duke i mbushur ato me urime, lajme të përditshme dhe mall.

Qytetari që e ka gjetur kasetën shpreson që, përmes publikimit të kësaj historie, të mund të gjendet familja e Nënë Diles, për t’ua rikthyer këtë copëz kujtese të ruajtur prej dekadash.

Ndoshta për dikë është vetëm një kasetë e vjetër, por për një familje mund të jetë një thesar me zërat e njerëzve të dashur, një kujtim që ka udhëtuar ndër vite dhe që tani kërkon të kthehet në vendin ku i përket.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit