SPAK ka njoftuar goditjen e një prej kartelëve më të rrezikshëm kriminalë të trafikut të kokainës nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke finalizuar një hetim që ka zgjatur për rreth gjashtë vite.
Në qendër të dosjes rezulton Salvatore, i njohur edhe si Shpëtim Aliu, një emër thuajse i panjohur për publikun, por që sipas hetuesve dyshohet se drejtonte nga distanca një rrjet të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ai akuzohet se furnizonte me kokainë grupe kriminale të drejtuara nga Eldi Dizdari, Armando Pacani, Dritan Gjika dhe Sokol Aliu, duke ndërtuar një linjë të qëndrueshme furnizimi mes Amerikës Latine dhe tregjeve europiane.
Hetimet, sipas burimeve, kanë nisur pas një referimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit më 8 maj 2020, ku raportohej për një grup të strukturuar kriminal të përbërë nga familjarë dhe shtetas të huaj, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës në linjën Ekuador–Bashkimi Europian–Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore, Salvatore Aliu konsiderohet figura qendrore e organizatës, përgjegjës për furnizimin, organizimin dhe financimin e ngarkesave të drogës, ndërsa vëllai i tij, Isa Aliu, dyshohet se ka luajtur rol në pastrimin e parave përmes bizneseve të ligjshme, përfshirë edhe një rrjet supermarketesh në Elbasan.
Për vite me radhë, hetimi ka mbetur pa rezultate konkrete, ndërsa emri i Aliut qarkullonte kryesisht në raportet e inteligjencës. Ai dyshohet se jetonte në një zonë rezidenciale në Ekuador, larg vëmendjes së autoriteteve. Zhvillimi vendimtar erdhi pas zbërthimit të platformës së koduar “Sky ECC”, ku komunikimet e përgjuara zbuluan rolin e tij kyç në rrjet.
Në biseda të ndryshme, Aliu identifikohej me disa nofka, mes tyre “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”, të cilat sipas hetuesve përdoreshin për të maskuar një nga figurat më të rëndësishme të narkotrafikut shqiptar në Amerikën Latine.
Pjesë e hetimeve dyshohet të jenë edhe një sërë personash të tjerë, përfshirë Oklid Elouejdin, Sokol Bibajn, Denis Matoshin alias Eldi Dizdari, Armando Pacanin, Dritan Gjikën, Florian Musain alias Naum Filo, Aleks alias Shkëlqim Pepajn, Jetmir Pepajn, Nald Yzeirajn, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Operacioni është shoqëruar me 10 urdhër-arreste dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 150 milionë euro. Përtej shifrave, dosja sipas SPAK zbardh funksionimin e një organizate që për vite me radhë ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës, ndërsa drejtuesi i saj mbetej pothuajse i padukshëm për autoritetet.