Konflikti i pronësisë në Tiranë, reagon familja Mulaj: “Akuzat janë të pavërteta dhe të njëanshme”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.06.2026, 23:16

Pas publikimit të një denoncimi nga një qytetar i Tiranës lidhur me një konflikt pronësie në zonën e Rrugës së Elbasanit, redaksia e JOQ Albania ka marrë një reagim nga pala tjetër e përmendur në këtë çështje.

Në artikullin e publikuar një ditë më parë, qytetari Edmond Hoxha pretendonte se prej më shumë se 10 vitesh është përfshirë në procese gjyqësore lidhur me një objekt dykatësh, për të cilin deklaronte se disponon dokumentacionin ligjor të pronësisë. Ai ngrinte gjithashtu pretendime për ndikim të paligjshëm në proceset gjyqësore, duke përmendur me emër Natasha Mulajn. JOQ Albania theksoi në publikimin e saj se këto ishin pretendime të vetë denoncuesit dhe se nuk ishin verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia.

Në reagimin e dërguar pranë JOQ Albania, Adi Mulaj kundërshton deklarimet e z. Hoxha, duke i cilësuar ato si të pavërteta, të njëanshme dhe të shkëputura nga dokumentacioni që, sipas tij, ekziston për këtë çështje.

Sipas palës reaguese, objekti në fjalë është ndërtuar nga një person tjetër, Shefki Muça, përpara vitit 2002 dhe është deklaruar për legalizim në vitin 2006. Në reagim pretendohet se Edmond Hoxha është përfshirë në këtë histori disa vite më vonë dhe se ligjshmëria e titujve të pronësisë të lidhur me objektin është kundërshtuar në rrugë gjyqësore nga familja Mulaj.

Pala reaguese pretendon gjithashtu se çështja ka qenë objekt i proceseve të ndryshme gjyqësore dhe se qëndrimi i tyre ka qenë që institucionet kompetente të verifikojnë vlefshmërinë e akteve administrative dhe të titujve të pronësisë që lidhen me këtë pasuri.

Lidhur me pretendimet e bëra nga Edmond Hoxha ndaj Natasha Mulajt, familja Mulaj i mohon ato, duke i cilësuar si akuza të pabazuara dhe duke theksuar se e vërteta e kësaj çështjeje duhet të përcaktohet nga institucionet përkatëse, në bazë të dokumenteve dhe vendimeve gjyqësore.

JOQ Albania rithekson se pretendimet e paraqitura nga të dyja palët nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia jonë. Çdo vlerësim mbi ligjshmërinë e dokumenteve, veprimeve administrative apo vendimeve gjyqësore i takon institucioneve kompetente.

Në funksion të pasqyrimit të plotë dhe të balancuar të çështjes, JOQ Albania po publikon edhe reagimin e plotë të familjes Mulaj, ashtu siç është dërguar në redaksi.

Reagimi i plotë:

Përshëndetje JOQ,

Nisur nga publikimi i një videoje ku një person paraqitet si “qytetar” dhe pretendon se familja ime i ka bërë padrejtësi, kërkoj nga ana juaj, si media e pavarur që ka përdorur standardin e informimit publik, të publikoni me të njëjtin standard edhe këtë përgënjeshtrim.

Zotëria në fjalë ka emër dhe mbiemër. Ai nuk është “një qytetar anonim” i anatemuar nga një familje apo nga persona të pushtetshëm. Përkundrazi, bëhet fjalë për një person me histori të njohur publike dhe me një konflikt pronësor e gjyqësor që ka dokumente, data, akte dhe vendime institucionale.

Videoja e tij, sipas nesh, është manipuluese dhe e njëanshme. Ajo ka nxitur komente fyese, mllef publik dhe madje kërcënime vetëgjyqësie ndaj familjes sonë, ndërkohë që personi që ka folur shmang pyetjet kryesore mbi dokumentet, legalizimin, titullin e pronësisë dhe historikun real të objektit.

Për këtë arsye, në respekt të publikut, të ndjekësve tuaj dhe të parimit të informimit të balancuar, kërkoj që të publikoni edhe reagimin tonë të plotë.

Më poshtë po ju përcjell tekstin e përgënjeshtrimit publik.

PËRGËNJESHTRIM PUBLIK:

Në lidhje me deklarimet publike të z. Edmond Hoxha, i cili në media dhe rrjete sociale është paraqitur thjesht si “qytetar”, pa bërë të qarta për publikun gjeneralitetet dhe historikun e plotë të tij, sqaroj sa vijon.

Akuzat e tij ndaj meje, familjes sime dhe punës së motrës sime i konsideroj të pavërteta, të njëanshme dhe të shkëputura nga dokumentet, kronologjia dhe proceset gjyqësore. Kjo nuk është çështje viktimizimi në rrjete sociale, por çështje datash, aktesh, ekspertizash dhe vendimesh institucionale.

Objekti/lokali në fjalë është ndërtuar nga z. Shefki Muça, para vitit 2002, me blloqe betoni. Ai ka paguar detyrimet përkatëse, taksa, tatime, energji elektrike, ujë dhe çdo detyrim tjetër të lidhur me objektin. Në vitin 2006, z. Shefki Muça e ka deklaruar objektin për legalizim.

Ndërkohë, z. Edmond Hoxha shfaqet shumë më vonë në këtë histori. Sipas dokumenteve që disponojmë, ai blen në datën 27.10.2012 një pronë me kusht dhe pa hipotekë; në vitin 2013 e paraqet objektin në ALUIZNI sikur ta kishte ndërtuar vetë; në datën 17.07.2013 pajiset me leje legalizimi; dhe në datën 11.09.2013 pajiset me certifikatë pronësie. Pra, një objekt me histori të mëparshme, i ndërtuar dhe deklaruar nga tjetër person, legalizohet në emër të tij brenda një periudhe tepër të shkurtër.

Pikërisht për këtë arsye, kur z. Hoxha u paraqit me certifikatë pronësie, ne u detyruam t’i drejtoheshim gjykatës për pavlefshmërinë absolute të titullit të pronësisë dhe të akteve të legalizimit. Kjo çështje figuron edhe në njoftimet publike të Gjykatës së Lartë: “Edmond Hoxha kundër ASHK Tirana Jug, Shefki Muça, Elvis Mulaj dhe Avokatura e Shtetit”, me objekt urdhra të ALUIZNI/ZVRPP lidhur me procedurën e legalizimit dhe kufizimin e veprimeve mbi pasurinë.

Një episod nga gjykata e tregon qartë thelbin e pretendimit. Në seancë, z. Shefki Muça e pyeti z. Hoxha: “Nëse më thotë me çfarë materiali është ndërtuar lokali, unë ia fal krejt lokalin.” Me lejen e gjyqtarit, z. Hoxha u përgjigj se objekti ishte ndërtuar “me mur tulle dhe me sanduiç nga sipër”. Ekspertiza teknike, sipas akteve që disponojmë, provoi të kundërtën: nuk kishte as tulla të kuqe dhe as mbulesë sanduiç. Objekti ishte ndërtuar me blloqe betoni.

Ky nuk është detaj i vogël. Është tregues i qartë se personi që pretendon publikisht të drejtë mbi objektin, nuk njihte as materialet bazë me të cilat ai ishte ndërtuar.

Publiku ka gjithashtu të drejtë të dijë kush është personi që sot del në media dhe hedh akuza. Sipas raportimeve të mëparshme publike në media, z. Edmond Hoxha është përmendur në lidhje me dosjen “GIRANA” në Belgjikë, për vepra të rënda penale si trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion dhe pjesëmarrja në organizatë kriminale. Këto janë raportime publike të bëra ndër vite nga media të ndryshme, duke iu referuar njoftimeve të policisë dhe institucioneve ligjzbatuese.

Prandaj, arsyeja pse po e sqaroj këtë nuk është sulmi personal, por respekti për publikun, për shikuesit dhe për komentuesit që kanë të drejtë ta njohin të plotë kontekstin. Z. Hoxha nuk mund të paraqitet si viktimë e pafajshme, duke hedhur baltë mbi familjen time, pa iu përgjigjur pyetjeve bazë: kush e ndërtoi objektin, kush e deklaroi i pari për legalizim, si u legalizua në emrin e tij dhe mbi çfarë baze u prodhua titulli i pronësisë?

Në vlerësimin tonë, kjo dalje publike nuk synon transparencë, por zhvendosje të vëmendjes nga faktet. Është përpjekje për të njollosur një familje që ka vepruar me punë, korrektësi dhe rrugë ligjore.

Nëse z. Hoxha pretendon të kundërtën, le të paraqesë dokumente të plota dhe të përditësuara, jo fragmente të zgjedhura për efekt publik. E vërteta nuk përcaktohet nga toni i një videoje, por nga datat, dokumentet, ekspertiza dhe vendimet gjyqësore.

Ne nuk kemi ndërhyrë për të marrë pronën e askujt. Përkundrazi, kemi kërkuar nga gjykata të verifikojë ligjshmërinë e titujve dhe të akteve mbi një objekt që, sipas dokumenteve tona, nuk është ndërtuar kurrë nga z. Hoxha.

Në vlerësimin tonë, kjo çështje meriton verifikim të plotë institucional dhe përgjegjësi ligjore për mënyrën se si janë prodhuar aktet administrative dhe titujt e pronësisë. Familja jonë do të vijojë ta mbrojë të vërtetën në rrugë ligjore, me dokumente dhe prova, jo me presion publik në rrjete sociale.

E vërteta mund të vonojë, por nuk humbet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit