Teksa në Tiranë protesta qytetare kundër klasës politike vijon për të 17-ën ditë radhazi, kryeministri Edi Rama është përballur me protesta edhe gjatë vizitës së tij në Gjermani.
Në pamjet e siguruara nga JOQ Albania, një grup shqiptarësh në Berlin shihen teksa protestojnë dhe i drejtohen kryeministrit me thirrjet: "Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!", në momentin kur ai po dilte nga një godinë dhe po bëhej gati të hipte në automjetin e tij.
Protestuesit e shoqëruan reagimin e tyre edhe me fishkëllima, ndërsa Rama, përpara se të largohej me mjetin zyrtar, i përshëndeti me dorë.
Kryeministri ndodhet në Gjermani në kuadër të një vizite dyditore, ku po merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor. Gjatë qëndrimit të tij, ai pritet të zhvillojë takime të fokusuara te bashkëpunimi ekonomik, investimet dhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Ndërkohë, në Shqipëri vijon protesta që ka hyrë në ditën e 17-të. Protesta është shndërruar në një reagim të gjerë kundër klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë. Mes thirrjeve më të dëgjuara në marshimet e përditshme kanë qenë "Rama në burg, Berisha në burg", "Shqipëri e re" dhe "Revolucion".