Në ditën e 17-të të protestës qytetare para Kryeministrisë, një i ri mori fjalën dhe iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke iu përgjigjur deklaratave të këtij të fundit, i cili disa ditë më parë i kishte cilësuar protestuesit si "nazistë" dhe "fashistë".
Mes duartrokitjeve të qytetarëve të mbledhur për të shprehur pakënaqësitë e tyre, ai deklaroi se protesta nuk do të ndalet deri në plotësimin e kërkesave të saj.
"Zoti kryeministër! Ne nuk jemi nazistë, ne nuk jemi fashistë. Nazistë dhe fashistë janë ata që lënë fëmijët të vdesin për bukën e gojës. Janë ata që lënë spitalet pa ilaçe, ku vdesin njerëzit për shërbim. Dhe ne jemi këtu për ta ndryshuar këtë gjë", u shpreh ai mes duartrokitjeve të protestuesve.
I riu theksoi gjithashtu se pjesëmarrësit në protestë nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
"Ne nuk do të tërhiqemi. Po të jetë nevoja, ne do të flemë në shkallët këtu deri sa ju të jepni dorëheqjen", deklaroi ai.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 17-të, po zhvillohet nën thirrjet kundër klasës politike që, sipas protestuesve, ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të demokracisë. Mes shqetësimeve të ngritura prej qytetarëve janë korrupsioni, emigrimi masiv, vështirësitë ekonomike dhe problematikat në shërbimet publike, përfshirë sistemin shëndetësor.