Trump: Ngushtica e Hormuzit do të rihapet plotësisht deri të premten, transporti detar pa tarifa!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.06.2026, 18:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të jetë plotësisht e hapur për qarkullimin detar deri të premten dhe se kalimi në këtë korridor strategjik do të mbetet pa tarifa edhe në të ardhmen.

Gjatë një takimi në Francë me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Trump u shpreh para gazetarëve se situata në rajon po stabilizohet me shpejtësi.

“Deri të premten do ta kemi Ngushticën e Hormuzit plotësisht të hapur. Anijet kanë nisur të lëvizin normalisht, nafta po rrjedh sërish dhe çmimet po bien me ritme të shpejta. Tregjet financiare po reagojnë pozitivisht dhe, mbi të gjitha, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump theksoi se rruga ujore do të funksionojë pa tarifa kalimi dhe se ky regjim do të vazhdojë edhe pas periudhës fillestare 60-ditore të parashikuar nga marrëveshja.

“Kur të hapet përgjithmonë, do të jetë pa tarifa”, shtoi ai.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi gjithashtu se dokumenti i marrëveshjes së paqes me Iranin do të bëhet publik brenda pak ditësh. Sipas tij, marrëveshja është me rëndësi të veçantë dhe mund të prezantohet edhe në një konferencë të posaçme për mediat.

“Jo vetëm që do ta publikojmë, por mund të mbajmë edhe një konferencë për shtyp ku do ta lexojmë fjalë për fjalë, në mënyrë që të pasqyrohet me saktësi nga mediat”, tha Trump.

Presidenti amerikan bëri të ditur se synon ta dërgojë marrëveshjen për shqyrtim në Kongresin e SHBA-së, duke mbështetur idenë e përfshirjes së ligjvënësve në procesin e miratimit.

Në komentet e tij, Trump u ndal edhe te programi bërthamor iranian, duke deklaruar se largimi i uraniumit të pasuruar pas sulmeve amerikane do të ishte një operacion jashtëzakonisht i vështirë. Sipas tij, vetëm SHBA-ja dhe “ndoshta Kina” disponojnë kapacitetet teknike për ta realizuar një proces të tillë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit