Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila pretendon se në Spitalin e Korçës mungojnë prej muajsh një sërë ilaçesh dhe materialesh mjekësore bazë, duke detyruar pacientët dhe familjarët e tyre t’i blejnë vetë.
Sipas denoncueses, situata është përsëritur disa herë gjatë muajve të fundit dhe familjarët e pacientëve po përballen me shpenzime të papërballueshme në një kohë kur shumë prej tyre mezi sigurojnë të ardhurat për nevojat e përditshme.
"Hera e tretë brenda tre muajve që vjen pacienti dhe nuk ka. U bënë më shumë se tre muaj që mungojnë ilaçet. Të gjithë i blejnë vetë. Këtu vuajnë për bukën e gojës dhe me lekë borxh i marrin ilaçet", shprehet ajo në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Sipas denoncimit, ndër medikamentet dhe materialet që pretendohet se mungojnë janë Prednisolone (Premizolon), Lasix (Lasiks), bikarbonat natriumi, Ondansetron, Omeprazol, Mannitol, si edhe pajisje të nevojshme për trajtimin e pacientëve si shiringa dhe vigona. Disa prej këtyre barnave përdoren në situata serioze shëndetësore dhe emergjente, përfshirë rastet me edemë cerebrale, reaksione të rënda inflamatore apo çrregullime të tjera që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Denoncuesja ngre gjithashtu dyshime se spitali furnizohet me medikamente që nuk përdoren gjerësisht, ndërsa, sipas saj, mungojnë barnat më të nevojshme për trajtimin e pacientëve.
Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një problematikë serioze që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve, të cilët përveç vuajtjeve të shkaktuara nga sëmundja, përballen edhe me barrën financiare për të siguruar ilaçet që duhet të ofrohen nga sistemi publik shëndetësor.
Shëndetësia ka qenë një nga shqetësimet e ngritura edhe nga qytetarët që prej 15 ditësh protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit kundër klasës politike që ka qeverisur Shqipërinë ndër vite. Për shumë protestues, vështirësitë për të marrë shërbime cilësore shëndetësore, kostot e larta dhe mungesa e besimit tek institucionet janë kthyer në simbol të problemeve të akumuluara ndër vite.
JOQ Albania fton Spitalin Rajonal të Korçës dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë lidhur me këtë denoncim dhe të sqarojnë opinionin publik mbi situatën e furnizimit me ilaçe në këtë institucion shëndetësor.