Protesta qytetare që po zhvillohet prej 15 ditësh radhazi në Tiranë ka gjetur mbështetje edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke bashkuar shqiptarët e diasporës në vende të ndryshme të botës.
Pas tubimeve të organizuara një ditë më parë në disa qytete europiane, edhe sot kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania pamje nga komunitete shqiptare që kanë dalë në sheshe në Mynih dhe Këln të Gjermanisë për të shprehur solidaritetin e tyre me protestuesit në Shqipëri në Këln dhe në Mynih.
Nga Europa, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, shqiptarë të diasporës janë mbledhur me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, duke përcjellë mesazhin se shqetësimet që kanë nxitur protestën në Tiranë nuk janë vetëm të atyre që jetojnë në Shqipëri, por edhe të mijëra bashkëkombësve që janë detyruar të ndërtojnë jetën larg atdheut.
Sipas pjesëmarrësve, protestat janë një reagim ndaj klasës politike që ka drejtuar vendin përgjatë 35 viteve të demokracisë, ndërsa shumë prej tyre shprehen se emigrimi masiv, mungesa e mundësive, korrupsioni dhe padrejtësitë sociale kanë qenë ndër arsyet kryesore që i shtynë të largoheshin nga vendi.
Pamjet e dërguara në redaksinë tonë tregojnë se, pavarësisht distancave gjeografike, shqiptarët vazhdojnë të ndihen të lidhur me zhvillimet në vendlindje dhe po zgjedhin të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje qytetare, duke e mbështetur atë nga çdo cep i botës ku jetojnë.