Pak ditë më parë, JOQ Albania publikoi shqetësimin e banorëve të fshatit Dardhë Spathar, në lagjen Gurkuqe, Bashkia Librazhd, lidhur me një burim uji që prej vitesh është përdorur nga komuniteti lokal.
Banorët treguan se burimi ndodhet brenda një zone të rrethuar pranë një objekti privat/centrali, duke kufizuar aksesin e lirë të komunitetit në këtë burim jetik, por së fundmi zona është rrethuar me gardhe dhe tela, veprim që ka shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim për mënyrën se si po administrohet ky burim natyror.
Të revoltuar nga situata dhe mungesa e ujit prej 6 muajve, banorët sot kanë hequr gardhin e vendosur, duke argumentuar se pengesa nuk i lejonte të hynin pranë burimit për të kryer ndërhyrjet e nevojshme në rrjetin e tyre të furnizimit me ujë.
Ata kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe transparente nga autoritetet përkatëse, në mënyrë që të garantohet akses i lirë dhe i sigurt në burimin që prej vitesh ka shërbyer për nevojat e komunitetit.